Jelekët ngjyrë portokalli të shtatë djemve në dhomë binin ndesh me kaltërsinë e qiellit jashtë atyre mureve. Jo shumë vite më parë, ata i përkisnin shoqërisë që shihej nga dritarja e madhe e asaj dhome: vetura që s’ndaleshin e ndërtesa që mbulonin një pjesë të horizontit në qytetin e Lipjanit.
Rreth tri kilometra në veri të qendrës së këtij qyteti ndodhet edhe shtëpia e përkohshme e këtyre shtatë djemve dhe 38 shokëve të tyre.
Të ardhur nga pjesë të ndryshme të Kosovës, këta të rinj i bashkon një gjë në atë dhomë ku mësojnë se si të sillen në rrethana sociale: gabimet gjatë viteve të adoleshencës.
Jeta në Qendrën Korrektuese për të Mitur përfshin shumëçka që mund të mos imagjinohet. Afër Lumit Sitnica, por në pamundësi të shijimit të tij, këta të rinj kanë fushë sportive, palestër, shkollë për trajnime profesionale e rehabilituese, e disa më fatlumë edhe “playstation” në dhomat e tyre.
Në këtë qendër jetojnë të rinj deri në moshën 23-vjeçare, që janë dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale sa kanë qenë të mitur.
Përmes rrëfimit të një 21-vjeçari për Radion Evropa e Lirë, mund të kuptohet se si jetohet aty – në izolim, por me shumë shpresë për të ardhmen.
I dënuar për vrasje me katër vjet e dhjetë muaj burgim, ai përfundoi shkollën e mesme në këtë qendër dhe pastaj nisi studimet për inxhinieri kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Ai do të lirohet në vitin 2024 dhe thotë se mezi pret ta rinisë jetën.
Përderisa 21-vjeçari e kalon kohën duke imagjinuar të ardhmen e tij jashtë asaj qendre, Fjolla Ibrahimi, punëtore sociale, beson se realiteti që e pret jashtë mund të mos jetë aq i bukur sa në imagjinatën e tij.
“Sfidat kryesore që hasin ish të burgosurit në riintegrim janë mospërputhshmëria me personat e tjerë në rrethin ku ata do të jetojnë, gjetja e një pune permanente, e cila sjell të ardhura, shëndeti i tyre mendor pas daljes nga burgu, si dhe paragjykimi, i cili vjen nga të tjerët”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se stigmatizimi mund të ketë efekte të rënda psikologjike dhe mund të çojë deri te prishja e lidhjeve familjare ose humbja e punës dhe vendbanimit.
Por, përkundër këtyre sfidave që mund ta presin jashtë, një 19-vjeçar në qendër, i dënuar po ashtu për vrasje me katër vjet e gjashtë muaj burgim, mezi e pret daljen prej aty, më 2026.
Shpresa e tij e vetme për të ardhmen është se do të arrijë, siç thotë, t’ia kthejë të mirat familjes së vet.
(Mbi)ngarkesa e psikologëve në këto qendra
Jo të gjithë të burgosurit në qendrat e Shërbimit Korrektues të Kosovës e ndajnë të njëjtin fat me ta. Të miturit mund të dënohen maksimalisht me dhjetë vjet burgim, ndryshe nga të rriturit që mund të përballen me dënim të përjetshëm. Atyre, po ashtu, u ofrohen shërbime më të shumta rehabilituese e risocializuese sesa të rriturve të burgosur.
Një hulumtim i vitit 2017, për të cilin u intervistuan 12 burra dhe 10 gra, gjeti se asnjëri prej atyre të burgosurve nuk kishte marrë trajtim psikologjik dhe shumica prej tyre ndienin keqardhje për vete, e jo për veprën e kryer apo për personin e dëmtuar.
Situata nuk mund të ketë ndryshuar shumë as tani sipas autorit të këtij hulumtimi, Ferid Azemi, ligjërues në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Arsye kryesore, sipas tij, mbetet numri i vogël i psikologëve nëpër këto qendra.
“Çdo komponent i qendrave korrektuese dhe sistemit të drejtësisë duhet të ndërhyjë në atë mënyrë që t’ia ndryshojnë sjelljet atij personi që e ka shkelur ligjin. Mendoj që nuk ka psikologë – psikologë klinikë faktikisht, sepse klinikë duhet të ketë më shumë – s’kanë psikoterapi, apo terapi grupore që të bindet i burgosuri që me të vërtetë e ka lënduar edhe dikë tjetër”, shprehet Azemi për REL-in.
Nga Departamenti i Shëndetësisë në Burgje i Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në 11 njësite shëndetësore nëpër burgjet në Kosovë janë të punësuar tetë psikologë klinikë me orar të plotë dhe dy këshillues.
Këta psikologë kanë për detyrë të bëjnë vlerësime psikologjike të të burgosurve, t’i menaxhojnë ata që rrezikojnë të kryejnë vetëvrasje, të punojnë për deradikalizmin e tyre, si dhe t’i asistojnë ekipet e Shërbimit Korrektues në programet për risocializim.
Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili me ligj parashihet të veprojë si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), vlerëson se numri i personelit në burgje është adekuat.
“Numri i personelit mjekësor në të gjitha nivelet, në përgjithësi, është adekuat në të gjitha qendrat korrektuese dhe të paraburgimit. MKPT ka vërejtur që në secilën qendër të paraburgimit dhe qendra korrektuese ka shërbime psikologjike dhe psikiatrike të mjaftueshme”, thotë Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Por, nga ky institucion besojnë se stafi shëndetësor në burgje mbingarkohet nga numri i madh i të paraburgosurve që kanë probleme të natyrës psikike, e që nuk kanë vend në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Zyrtarja për punë sociale në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, Flakë Ymeri, i tregon REL-it për punën që bëhet me të rinjtë në këtë qendër:
Mungojnë trajtimet rehabilituese dhe skemat mbështetëse
Mungesa e shërbimeve rehabilituese për të burgosurit në burgun e Dubravës në Istog u theksua në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021. Aty thuhet se mungojnë aktivitetet rehabilituese dhe terapeutike për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor, pasi që ata trajtohen kryesisht me medikamente.
Për Azemin, rehabilitimi dhe përgatitja e të burgosurve për jetën pasi të dalin nga burgu duhet të jetë synimi kryesor i qendrave të Shërbimit Korrektues.
“Për shkak se diku rreth 90% e të burgosurve një ditë lirohen, qëllimi i korrektueses është ta rehabilitojë dhe ta përmirësojë atë person që të mos e përsërisë veprën. Kjo është filozofia e qendrave korrektuese”, shprehet Azemi.
Mungesa e trajtimeve të tilla rrezikon të çojë në recidivizëm, apo përsëritje të veprës. Për ta luftuar këtë fenomen, shumë vende kanë miratuar skema mbështetëse për t’i ndihmuar ish të burgosurit të riintegrohen në shoqëri.
Në SHBA, një nga këto skema është programi i atributeve tatimore, ku punëdhënësit që punësojnë ish të burgosur, mund të përfitojnë deri në 4.000 dollarë lirim në taksa. Në Britani të Madhe, ish të burgosurit mund të aplikojnë për një ndihmë javore deri në 77 funta derisa të gjejnë vend pune.
Sipas Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, të burgosurit nuk përfitojnë ndihma sociale gjatë kohës sa janë në qendra korrektuese. Ata mund të përfitojnë vetëm nga ndihmat që janë në dispozicion si për çdo qytetar tjetër, kur të lirohen nga burgu.
“Skema e ndihmave sociale (SNS) në Kosovë nuk trajton raste dhe mbështetje të veçantë për kategorinë e ish të burgosurve, përveç kur ata i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligjin e SNS-së”, tregon për REL-in Musa Demiri, udhëheqës i divizionit për komunikim publik në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Aktualisht, në 11 qendrat e Shërbimit Korrektues të Kosovës ndodhen 1.780 veta – prej tyre: 1.081 të dënuar, ndërsa 699 të paraburgosur. /GazetaSinjali/