image Jep dorëheqje udhëheqësi i Njësisë Biznesore në minierën e Trepçës

Kosovë

Jep dorëheqje udhëheqësi i Njësisë Biznesore në minierën e Trepçës

news image

Udhëheqësi i Njësisë Biznesore në minierën e Trepçës, Nexhat Dedia, ka dhënë dorëheqje sot nga kjo pozitë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu kanë bërë të ditur, burime të Sinjalit brenda kësaj miniere.

Redaksia ka kontaktuar me Dedian, por ai ka thënë që nuk mund të flasë pasi është në një takim dhe se do të flasë më vonë.

Ndërsa dje, në Trepçë ka ndodhur një përleshje, ku Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës së kësaj ndërmarrjeje, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup njerëzish.

E për këtë rast janë arrestuar pesë persona nga Policia.

“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje pesë të dyshuar meshkuj kosovarë punëtor i kishin sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovarë, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurori janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Sinjali ka mësuar se në mesin e personave që u arrestuan nga Policia e Kosovës, si të dyshuar për këtë sulm është edhe Rafet Ibishi, ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit në këtë ndërmarrje.

Ibishi madje është edhe në mesin e të suspenduarve nga kjo ndërmarrje.

Përveç tij, menaxhmenti i Trepçës ka suspenduar dje Zenel Ibishin, Rrahman Latifin, Shefki Ramën, Bajram Sadikun, Bajram Istrefin dhe Burim Hajdarin.

Ky vendim është marrë si masë disiplinore pas sulmit fizik ndaj ushtruesit aktual të detyrës së kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmanit dhe drejtorit të Administratës, Besim Haxhiu.

/GazetaSinjali/