Familja Buquku nga Peja, konkretisht biznesmeni Jeton Buquku, vëllai i tij Egzon Buquku dhe babai i tyre Enver Buquku, pritet të përballen me Demë Elshanin në një betejë ligjore që ka nisur ky i fundit. Konflikti ka lindur pas akuzave të Jeton Buqukut se tri incidentet e ndodhura te bizneset e tyre janë të porositura nga Demë Elshani. Këto raste po dyshohet se u inskenuan nga Buqukët për ta shlyer borxhin rreth 2 milionësh që kanë ndaj Elshanit, për çka tashmë ekziston një kallëzim penal, raporton Gazeta Sinjali.
Nipi i Demë Elshanit, Qendrim Elshani, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, kundër Enver, Jeton dhe Egzon Buqukut, duke i akuzuar se kanë deklaruar rrejshëm në dëshmitë që kanë dhënë për incidentet e ndodhura, me qëllimin që të ikin nga përgjegjësia për kthimin e borxhit dhe ta ngarkojnë Demë Elshanin se ka kryer vepër penale.
Në këtë kallëzim penal përmendet edhe një pjesë e dëshmisë së Jeton Buqukut të dhënë si viktimë për incidentet te bizneset e tij, ku sipas Demë Elshanit ka deklaruar rrejshëm se nuk ka pasur kontakt me të që nga viti 2010, pasi në vitin 2016 janë takuar në Spanjë.
Sipas Elshanit, Buquku kishte shkuar në Valencia, ku e ka pritur dhe ia ka prezantuar listën me borxhet ndaj tij, ku ndër të tjera thotë se Jetoni i ishte drejtuar me fjalët “sot po pijmë raki e nesër kusuritem”.
Dema dhe Jetoni pretendohet se megjithatë i kanë diskutuar borxhet, për çka sipas kallëzimit penal, Buquku ka kërkuar nga Elshani që të pranojë që ta paguajnë borxhin, duke e kthyer me patundshmëri.
Në këtë rast, Dema thuhet se ka pranuar, por ka kërkuar që borxhi të kthehet me patundshmëritë që i kanë blerë me paratë e tij.
Qendrim Elshani ka bashkangjitur edhe dëshmi që pretendojnë se mbështeten akuzat e Demë Elshanit për borxhin e familjes Buquku ndaj tij, duke kërkuar që të iniciohet procedura dhe të hetohen rastet e përmendura.
Sinjali e ka kontaktuar Jeton Buqukun për të marrë një deklaratë, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar nëse Prokuroria Themelore në Pejë do të vihet në lëvizje lidhur me këtë çështje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.