Jashtëtokësorët ekzistojnë dhe ata mund të jetojnë në mënyrë të padukshme midis nesh në Tokë. Një deklaratë e tillë ka bërë bujë në mediat britanike dhe jo vetëm dhe është bërë nga astronautja e parë britanike që “shpërtheu në hapësirë”.
Sipas mediave britanike, bëhet fjalë për Dr. Helen Sharman, e cila ishte një kimiste 27-vjeçare kur vizitoi stacionin hapësinor Mir të Rusisë në maj të vitit 1991.Ajo aplikoi dhe u zgjodh – duke mundur më shumë se 13,000 të tjerë – pasi dëgjoi një thirrje për astronautë të mundshëm në radio, ndërsa po shkonte në shtëpi nga puna.
Pothuajse 30 vjet nga arritja e saj historike, astronautja e lindur në Sheffield tha se jeta e jashtëtokësorëve mund të zhvillohet “nën hundët tona”.
Dr. Sharman, tanimë 56 vjeçe, i ka thënë Revistës Observer: “Jashtëtokësorët ekzistojnë, nuk ka dilema për këtë”.
“Ka kaq shumë miliarda yje atje në univers sa që duhet të ekzistojnë të gjitha llojet e formave të ndryshme të jetës”. “A do të jenë ata si unë dhe ju, të përbërë nga karboni dhe azoti? Ndoshta jo. Është e mundur që ata janë këtu tani dhe ne thjesht nuk mund t’i shohim”.
Veç kësaj, ajo ka folur edhe për udhëtimin e saj, duke thënë se kurrë nuk do ta harrojë shikimin e Tokës nga hapësira për herë të parë, duke thënë se nuk ka “një bukuri më të madhe”.