Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se brenga kryesore e tyre është mos përcaktimi i vlerës së koeficientit.
Ai dyshon se është mashtrimi i radhës nga Qeveria e Kosovës ngase mund të kenë koeficient të lartë por me vlerë më të ulët.
Duke bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës të bëhen zëri i sindikatave, Jasharaj u shpreh se mund të pësojë zhgënjim pasi sipas tij, vlera e koeficientit varet nga “teket” e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Vërejtja jonë e kamotshme është pse ligji është vonuar kaq shumë dhe pikërisht kjo vonesë e ligjit na dërgoi te telashet dhe te greva, ngase po ta kishte realizuar premtimin Sveçla dhe partia në pushtet që na kishin thënë se më 31 mars do të shkonte në parlament, nuk ndodhi as në qershor dhe na doli pastaj ajo kërkesa 100 euro.
Në muajin mars, kemi dorëzuar versionin për secilin koeficient, por brengë e jona është dhe dyshojmë se është një mashtrim i radhës kur nuk përcaktohet qartë vlera e koeficientit ngase mund të kemi koeficient në dukje tepër të mëdha, por kur vlera nuk dihet apo bëhet sipas tekeve të ministrit Murati mund të ketë një zhgënjim të ardhshëm ku shihet se ai e cakton vlerën dhe pagat mund të mbesin këto që janë, dhe ne nuk kemi çka fshehim kemi pritur që Ligji i Pagave ta bëjë sistemin arsimor në vendin meritor dhe të kemi paga më të mëdha nga këto që janë“, theksoi ai pas takimit me deputetët e AAK-së.
Jasharaj shpreson që nga janari të nisi zbatimi i këtij ligji, në të kundërtën ai thotë se Qeveria do të bëjë lojëra të ndryshme.
“Uroj që janari të na e sjellë ligjin, por një ligj do si do, por një ligj me kërkesat tona me një koeficiente të ditur dhe të jetë janari e jo të jetë siç është thënë atje pas 8 muaj, sepse në ata 8 muaj mund të bëhen lojëra të ndryshme nga qeveria dhe të mos e kemi fare ligjin e shumëpritur për paga”, tha Jasharaj.
Tashmë për Projektligjin aktual të Pagave kanë përfunduar diskutime publike.