Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, përmes një reagimi publik të mërkurën, ka thënë se punëtorët e arsimit nuk kanë protestuar më 1 maj në mënyrë që ta kursejnë kryeministrin Albin Kurti.
Kjo pasi ky i fundit më 2 maj është takuar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
E Jasharaj ka deklaruar se në rast se do të protestonin siç ndodh në Evropë e Botë, atëherë “Kurti do të deklaronte në medie dhe ushtria e tij bashkë me do faqezezë analistë do të drejtonin sulme ndaj atyre që mbajtën gjallë arsimin në vitet e 90-ta”.
“Nuk penguam Kurtin në Bruksel, por shikoni se çfarë na solli nga atje”, ka thënë kryesindikalisti, duke iu referuar Deklaratës së nënshkruar për të zhdukurit mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Mediet e dinë se në gushtin e vitit të kaluar ishte Kryeministri Kurti që për dështimet e veta në dialogun asaj kohe në Bruksel u mundua t’ua adresojë sindikatave dhe duke nisur mesazh linçimi kishte përmendur edhe emra konkret të udhëheqësve sindikal e në veçanti ‘babën e grevave’. ‘Kur unë shkova të përballesha me Serbinë, më thanë se shiko se në shtetin tënd ka grevë’, kishte thënë Kurti duke përcjellë mesazhin të mbështetësit e tij e sidomos të ushtria e tij në facebook se greva e paralajmëruar e BSPK-së i paskan ulur forcën goditëse Kurtit.”