Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmeve të mediave serbe se ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka kërkuar atij 100 njerëz për protestën e sotme në Tiranë.
“Novosti” ka shkruar se ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha e ka kontaktuar personalisht ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj “për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në protestë”
Por Haradinaj në një përgjigje për Express ka mohuar këtë duke thënë se ato media po ja bëjnë fushatën Vuçiqit dhe i ka cilësuar si “përralla” raportimet.
“Po ia bëjnë fushatën Vuciqit, janë përralla”, ka thënë ai.
Berisha ka mbajtur një protestë kundër Vuçiqit dhe nismës “Ballkani i Hapur” në Tiranë dhe ka arritur të mbledhë mijëra shqiptarë.
Mediat serbe pro-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë quajtur ekstremistë ata që po protestojnë sot në Tiranë kundër vizitës së kreut të shtetit serb, i cili do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.