Që nga ora 06:00 e mëngjesit, pjesëtarë të EULEX-IT dhe të Policisë së Kosovës janë duke kryer bastisje në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Djali i vëllait të Krasniqit, Arian Krasniqi për Gazetën Sinjali ka thënë se Jakup Krasniqi është i ndarë në një dhomë të veçantë dhe po merret në pyetje.
Ai ka deklaruar se familja e ngushtë e ish-kryeparlamentarit është terrorizuar kur në orët e para të mëngjesit pjesëtarë të Policisë dhe të EULEX-it kanë zbarkuar në shtëpinë e tyre në lagjen “Velani” të Prishtinës.
“Janë terrorizuar, në ora gjashtë kanë hyrë forcat. Baca Jakup është i ndarë në një pjesë tjetër të shtëpisë, aty po vazhdon intervistimi nuk e dimë çka, bastisja ka filluar prej orës 06:00 të mëngjesit. Nuk e dimë sa do të zgjasë këtu bastisja”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka thënë se momentalisht prindi i tij dhe një mixhë tjetër janë në Negroc dhe sipas tij sapo të përfundon bastisja në Prishtinë do të vazhdojë atje, sepse tashmë pjesëtarë të EULEX-it ndodhen në Negroc.
Arian Krasniqi ndër të tjera ka thëne se nga momenti kur e kanë ndarë në dhomë të veçantë, nuk kanë kontaktuar më me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. /Gazeta Sinjali/