image Jahjaga e habitur me prezencën e Daçiqit në Konferencën për dhunën seksuale

Politikë

Jahjaga e habitur me prezencën e Daçiqit në Konferencën për dhunën seksuale

news image

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një postimi të bërë në rrjetin e saj social “Facebook ”, ka reaguar lidhur me prezencën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Londër, raporton Gazeta Sinjali.

Jahjaga është shprehur e habitur se si ministri serb Daçiq ka siguruar ftesë në këtë konferencë.

“E habitur që Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict) i ka bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë”- ka shkruar Jahjaga në facebook.

Jahjaga shtoi se viktimat e dhunës seksuale shpresojnë të ballafaqohen me dhunuesit e tyre në gjykatë dhe jo në konferenca.

“Viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt”, ka theksuar ajo.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

E habitur që Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict) i ka bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë.

A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare.

Kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2016, Lartmadhëria e Tij Mbreti Charles III, takoi të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Mbretëria e Bashkuar është lider global në përpjekjet për ta parandaluar #DhunënSeksualenëKonflikt, dhe Kosova ka gjetur një shtet mik krahas të cilit kërkon drejtësi për të mbijetuarit.

Viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt.