Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj, duke vlerësuar se kjo është dëshmi e qartë për rrënjët e thella të patriarkatit në vend, të mendësisë së cekët, e të pamëshirshme ndaj grave, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Jahjaga ka thënë se derisa bota është duke shënuar fushatën “16 ditë kundër dhunës në baza gjinore” me aktivitete të ndryshme, Kosova është duke dështuar.
“Po gjatë këtij 16 ditëshi, ne po dështojmë, çdo vit e më shumë, çdo vit e më keq. Vrasja e Liridona Ademajt, në mënyrë kaq brutale e të pamëshirshme është dëshmi e qartë për rrënjët e thella të patriarkatit në vend, të mendësisë së cekët, e të pamëshirshme ndaj grave në vend”, ka shkruar Jahjaga.
Ajo ka kërkuar që kryesit e krimit ta marrin dënimin e merituar sa më shpejt, teksa ka përgëzuar Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e të dyshuarve.
“Të jetë humbja e Liridonës rasti i fundit. E kryerësit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar sa ma shpejtë!”, shkroi më tej ajo.
Ndryshe, Policia ka arrestuar dje tre persona të dyshuar për vrasjen e Liridonës, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin.
Naim Murseli u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.
E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.
Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.
Seanca fillestare ndaj të dyshuarve do të mbahet nesër në orën 09:30, teksa Prokuroria ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.