Gjykata Themelore e Prizrenit, ka marrë sot vendim që shteti t’i paguajë dëmshpërblim familjes së të ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra para disa vjetësh nga ish-bashkëshorti i saj.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mirëpritur këtë vendim, derisa, u ka bërë thirrje autoriteteve që të gjejnë vrasësin e Dianës dhe ta ekstradojnë atë në Kosovë.
“Gjykata Themelore e Prizrenit paska korrigjuar gabimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me vendimin që shteti t’i paguajë dëmshpërblimin familjes të së ndjerës, Diana Kastrati, për shkak të neglizhimit të rastit të saj. Mirëpres këtë vendim dhe u bëjë thirrje autoriteteve përgjegjëse që në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar, ta gjejnë vrasësin e Dianës dhe ta ekstradojnë atë në Kosovë për të marrë dënimin e merituar”.
“Shpresoj se për rastet e raportuara të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, institucionet e drejtësisë të mos kenë nevojë ta korrigjojnë njëri-tjetrin, por të veprojnë me kohe!. Mbrojtja nga dhuna është e drejtë bazike e secilit qytetar të Kosovës dhe duhet të garantohet si e tillë”, ka shkruar mes të tjerash ajo në facebook.