Distria Krasniqi ka kaluar në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror në Xhudo që po mbahet në Tokio të Japonisë.
23 vjeçarja ka mposhtur Paula Pareto, në një luftë të vështirë në çerekfinale.
Krasniqi e mundi rivalen argjentinase me “Golden Score”, pasi koha e rregullt u mbyll pa fitues.
Xhudistja nga Kosova është paraqitur në kategorinë (-48 kg) dhe me këtë sukses synon drejt medaljes së artë në këtë kategori.
Në gjysmëfinale, Krasniqi do të përballet me Funa Tonakin e Japonisë.
Garat kanë filluar në orën 04 pas mesnatës, me kohën tonë lokale. Kosova përfaqësohet me pesë bursistët Olimpikë, që me sukses po e ndjekin normën Olimpike Tokio 2020: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova. Ata synojnë t`i sjellin Kosovës medalje të reja në kuadër të suksesit të njohur botërisht në këtë disiplinë sportive.
Të hënën do të paraqitet Majlinda Kelmendi(-52 kg), të martën Nora Gjakova (-57 kg) e Akil Gjakova (-73 kg), ndërsa të premten Loriana Kuka (-78 kg).
Në këtë kampionat po marrin pjesë garues nga 149 shtete nga pesë kontinente. Në këtë edicion janë 865 garues prej të cilëve 523 meshkuj dhe 342 femra./Sinjali/