Lajmi për ratifikimin e marrëveshjes IPA nga Kuvendi i Kosovës ka gëzuar njohësit e kornizës legjislative dhe qytetarët e Kosovës për rëndësinë që kanë këto fonde për zhvillimin e Kosovës.
Aktivistja e shoqërisë civile, Flutura Kusari e ka quajtur këtë lajm fantastik duke uruar qytetarët për këtë vendim. Ajo ka bërë të ditur se çfarë do të përfitojë Kosova nga kjo marrëveshje.
“Kosova do të përfitojë 90.5 milionë euro nga fondet e BE-së. Me këto fonde filterat e termocentralit Kosova B do të ndërrohen dhe bursa Young Cell Scheme që financon rreth 50 studentë të Kosovës që të studiojnë, jashtë nuk do të anulohet.”, ka shkruar njohësja e ligjeve, Flutura Kusari.
Para dite, Kuvendi në seancën e fundit të legjislaturës së gjashtë votoi ratifikimin e marrëveshjes financiare IPA 2018 të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për këtë çështje votuan unanimisht për 101 deputetë, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim./ Sinjali/