Ushtria izraelite ka rrëmbyer një zyrtar të lartë të Hezbollahut në një operacion gjatë të cilit komandot izraelite zbarkuan në brigjet e Batroun, në veri të Libanit, kapën zyrtarin e supozuar dhe u arratisën me skaf.
Në një deklaratë, një zyrtar ushtarak izraelit tha se forcat e tij kapën një “operativ të lartë të Hezbollahut” dhe e transferuan atë për t’u hetuar nga inteligjenca ushtarake.
Media Axios citoi burime izraelite duke thënë se personi i kapur – Imad Amhaz – ishte përgjegjës për operacionet detare të Hezbollahut.
Ministri i përkohshëm i Transportit i Libanit, Ali Hamie, tha se Amhaz ishte një kapiten anijesh civile, ndërsa Hezbollah nuk komentoi mbi pretendimet se ai i përkiste organizatës.
Bëhet e ditur sek kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, tha se Libani do të paraqiste një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe se ai i kishte kërkuar ushtrisë së Libanit dhe misionit paqeruajtës të OKB-së për të hetuar incidentin.
Sulmi detar izraelit ishte i pari i këtij lloji, me ushtarët izraelitë që zbarkuan në veri të Libanit – një zonë e palidhur me Hezbollahun, shkruan the Guardian.
“Një forcë ushtarake e paidentifikuar kreu një operacion zbarkimi në plazhin e Batroun dhe u zhvendos në një shtëpi afër plazhit, ku rrëmbeu shtetasin Imad Amhaz dhe u largua me skaf në det të hapur”, njoftoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.
Pamjet treguan një burrë me duar pas shpine që drejtohej nga një kolonë ushtarësh.
“IDF do të vazhdojnë të veprojnë kudo që të jetë e nevojshme për të mbrojtur shtetin e Izraelit dhe qytetarët e tij”, tha një zyrtar ushtarak izraelit në një deklaratë.
Ndërkohë, Hamieh tha se rrëmbimi i Amhaz mund të jetë një shkelje e rezolutës 1701 të OKB-së, e cila supozohet të rregullojë dinamikën e sigurisë midis Izraelit dhe Libanit pas luftës së vitit 2006.
“Rrëmbimi i Amhazit ndodhi 100 metra larg vendbanimit të tij. Nëse vërtetohet se rrëmbimi ka ndodhur nëpërmjet një zbarkimi detar, ku është zbatimi i rezolutës 1701?”, tha Hamie.
Ndryshe, luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut, të cilat filluan më 8 tetor 2023 pasi grupi militant lëshoi raketa në Izrael “në solidaritet” me sulmin e Hamasit një ditë më parë, në përgjithësi e ka kursyer Libanin e veriut.