image Izraeli mund të godasë objektet bërthamore në Iran për hakmarrje, Trump i mbështet: Veproni

Botë

Izraeli mund të godasë objektet bërthamore në Iran për hakmarrje, Trump i mbështet: Veproni

news image

Izraeli nuk i ka dhënë garanci administratës së Joe Biden se shënjestrimi i objekteve bërthamore të Iranit është jashtë çdo diskutimi, teksa pritet shpagimi i shtetit hebre për sulmin me raketa balistike në fillim të kësaj jave nga regjimi i ajatollahëve.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha CNN se është “me të vërtetë e vështirë të thuhet” nëse Izraeli do të përdorë përvjetorin e sulmeve të Hamasit të 7 tetorit për t’u hakmarrë.

“Ne shpresojmë dhe presim të shohim pak mençuri përveç forcës, por për këtë nuk ka garanci”, ishte përgjigja që i dha zyrtari pyetjes se nëse Izraeli e ka siguruar SHBA-në se objektet bërthamore të Iranit nuk do të preken. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur mbështetje për reagimin e Izraelit ndaj sulmit raketor të Iranit me shumë zyrtarë që e kanë deklaruar publikisht se duhet të ketë pasoja.

Në të njëjtën kohë, janë shprehur megjithatë shqetësime për një zgjerim të konfliktit teksa përballen me një Lindje të Mesme gjithnjë e më të paqëndrueshme. Presidenti Joe Biden tha në fillim të kësaj jave se SHBA nuk e mbështet goditjen e programit bërthamor të Iranit nga Izraeli.

“Nëse do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera veç goditjes së fushave të naftës”, u shpreh Biden në një konferencë shtypi të premten.

Kandidati republikan për presidencialet e nëntorit, Donald Trump i hodhi ndërkohë benzinë zjarrit me këshillën e tij. Izraeli, tha ish presidenti nga një tubim elektoral në Karolinën e Veriut, duhet t’i godasë objektivat nukleare të Republikës Islamike. “Armët bërthamore janë rreziku më i madh”, u shpreh Trump, dhe nëse ata kanë në plan ta bëjnë, do ta bëjnë me siguri. Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar bombardimet gjatë natës në Bejrut, ku banorëve të lagjes periferike Dahieh, fortesë e Hezbollahut, u është kërkuar të largohen me të paktën 500 metra prej andej.

Paralajmërimeve u janë dhënë edhe banorëve të më shumë se 20 qyteteve dhe fshatrave të Libanit jugor që të evakuohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri, ndërsa ushtria izraelite vazhdon fushatën tokësore kundër Hezbollahut.

/GazetaSinjali/