image Italia: Qeverisja përfaqësuese në veri rikthehet me pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhje

Politikë

Italia: Qeverisja përfaqësuese në veri rikthehet me pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhje

news image

Ambasada italiane në Kosovë ka shprehur keqardhje për bojkotimin nga Lista Serbe dhe aktorët e tjerë politikë serbë të votimit 21 prillit në katër komunat në veri të Kosovës.

Votimi për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë u konsiderua i pasuksesshëm për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme të qytetarëve në votime.

Për shkarkimin e kryetarëve kërkohej që 50 për qind plus një votues të votonte, por në zgjedhje morën pjesë vetëm 253 persona.

Në pyetjen nëse mbështesin qëndrimin e shprehur nga Franca që kryetarët shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të japin dorëheqje, si mënyra më e shpejt për zgjedhje të reja, Ambasada italiane në Prishtinë tha se bojkoti i së dielës nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe as nuk hap rrugën që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, që sipas Romës, është “problemi kyç”.

“Qeverisja përfaqësuese në veri të Kosovës do të rikthehet kur zgjedhjet për kryetar të mbahen me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve. Thënë këtë, ne e pranojmë se votimet e së dielës u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin, pavarësisht një sërë vështirësish”, u tha në përgjigjen e Ambasadës italiane dërguar Radios Evropa e Lirë.

Pas dështimit të votimeve të së dielës, Franca kërkoi që menjëherë të organizohen zgjedhje lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”, deklaroi ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë në Kosovë që nuk morën pjesë në votimin për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë.

Ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi të dielën se përmes votimeve, serbët kanë mundur të “avancojnë në demokraci efektive dhe përfaqësuese”.

/GazetaSinjali/