Ish-drejtuesi i kompanisë që menaxhon autostradat në Itali, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, tragjedi që mori jetën e 43 personave në gusht të vitit 2018.
Vendimi u shpall nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim dukshëm më të rëndë për ish-kreun e kompanisë “Autostrade per l’Italia”.
Ura e autostradës, e cila kalonte përmes qytetit të Xhenovës, u shemb gjatë një stuhie shiu në kulmin e sezonit turistik, duke bërë që dhjetëra automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Nga tragjedia humbën jetën 43 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Castellucci ishte një nga 57 të pandehurit në procesin gjyqësor të zhvilluar në Xhenova. Ai aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim lidhur me një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013.
Po ashtu, gjykata dënoi me 11 vjet burgim edhe Michele Donferri Mitelli, një tjetër zyrtar i lartë i kompanisë së autostradave.
Vendimi është mirëpritur nga familjarët e viktimave. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllain e tij Henry në tragjedi, tha për mediat italiane se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës.
Ndërkohë, Egle Possetti, e cila humbi motrën dhe të gjithë familjen e saj në shembjen e urës, u shpreh se dënimi prej 12 vitesh për Castellucci-n ishte “i pranueshëm”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!