image “Ishte i nevojshëm koordinimi me ShBA-të”, opozita me kritika të ashpra për çështjen e targave

Politikë

“Ishte i nevojshëm koordinimi me ShBA-të”, opozita me kritika të ashpra për çështjen e targave

news image

Kosova dhe Serbia më në fund kanë arritur marrëveshje për targat në Bruksel të mërkurën mbrëma pas disa jave tensionesh.

Marrëveshja ishte rezultat i një presioni të lartë nga ShBA dhe BE.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, deklaroi se negociatorët e lartë të Kosovës dhe Serbisë kanë rënë dakord për hapat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe janë fokusuar totalisht në propozimin për rivendosjen e lidhjeve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha Borrell mbrëmjen e së mërkurës.

Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje që përfshin lëshime nga të dyja palët apo kompromis të dyanshëm

Borrell tha se Kosova është pajtuar në marrëveshjen e rënë dakord që të mos vazhdojë me riregjistrimin e veturave me targat ilegale serbe, kurse Serbia, nga ana tjetër, u zotua se nuk do t’u lëshonte më targa të reja ilegale serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, tha shefi i diplomacisë së BE-së.

Në lidhje me këtë vendim për Sinjalin ka folur deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili e ka mirëpritur këtë marrëveshje duke thënë se tani duhet t’i kushtohet rëndësi njohjes reciproke.

”Është e mirëpritur arritja e kësaj marrëveshjeje. Natyrisht që shumë më mirë do ishte që Qeveria në vend se të merrte veprime të pamatura, të koordinohej me ShBA dhe t’i dëgjonte kërkesat e tyre pasi që në atë pjesë të vendit janë shkaktuar dëme serioze. Tani duhet që t’i kushtohet rëndësi përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke, e cila duhet të arrihet me rolin aktiv të Amerikës dhe vulën e tyre”, u shpreh Lekaj për Sinjalin.

Ndersa kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se partia e tij vlerëson dakordimin lidhur me çështjen e targave e cila u arrit në Bruksel.

“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore” – tha ai.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria ka gabuar për mos kordinim me aleatët strategjikë të Kosovës

“Ne e mirëpresim dakordimin në lidhje me targat që ka ndodhur dje në Bruksel, që shmang përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të vendit, duke besuar se do të ndikojë edhe në kthimin e normalitetit dhe funksionimit të plotë institucional atje, gjithsesi, Qeveria gaboi që nuk u koordinua me kohë me aleatët strategjikë të Kosovës, para së gjithash me SHBA-të, por shkoi e negocoi me Serbinë për vendimet që ka mundur t’i marrë vetë, duke e bërë Serbinë palë në këtë çështje, pa asnjë arsye”, tha ai.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Vuçiq në konferencë për media tha se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 5 dhjetor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të riregjistruar targat serbe në RKS (Republika e Kosovës) dhe suspendimit të komandantit të policisë rajonale për veriun e Kosovës, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte atë vendim.

/GazetaSinjali/