image “Isha në Milano për një ndeshje futbolli”, arsyeja përse asamblisti i PSD-së nuk e deklaroi pasurinë

Kosovë

“Isha në Milano për një ndeshje futbolli”, arsyeja përse asamblisti i PSD-së nuk e deklaroi pasurinë

news image

Këshilltari i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Adrian Berisha, e ka pranuar fajësinë për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë.

Në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, i akuzuari Berisha ka deklaruar se ndihet fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai ka thënë se i vjen keq për këtë qe ka ndodhur, duke shtuar se ka mësuar që në vitin e ardhshëm të mos përsëris gabimin e njëjtë.

“Ka qenë një neglizhencë nga ana ime shkaku se në atë periudhë kohore kam qenë i zënë duke organizuar festivalin “Jazz Week”, ku gjithashtu e kam pasur problemin e kapacitetit të kufizuar në emalin tim zyrtar si dhe në atë periudhë kam qenë në Milano për të shikuar ndeshje futbolli”, ka deklaruar i akuzuari Berisha, raporton Betimi për Drejtësi.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar nga prokurori Zeqaj, dhe më pas është aprovuar nga gjykatësja Medie Bytyqi, me arsyetimin se ishte vullnetar pa presion dhe se gjente mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 21 gusht 2019, në ora 15:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adrian Berishës, për veprën penale “mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 par. 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, ai akuzohet në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Këshilltar i Asamblesë Komunale në Prishtinë,  ka vepruar në kundërshtim me nenin 8 par.1, të Ligjit 04/L-50, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ku ka qenë i detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, përmes formularit për deklarimin e pasurisë, nga data 1 deri 31 mars të vitit 2019, për periudhën 1 janar deri 31 dhjetor 2018, mirëpo të njëjtën nuk e ka bërë në afatin e paraparë ligjor./Sinjali/