image Ish-ushtari i UÇK-së thotë se Specialja do ta arrestojë më 28 nëntor: Kam djegur 5-6 shtëpi serbësh, por nuk kam vrarë civilë

Kosovë

Ish-ushtari i UÇK-së thotë se Specialja do ta arrestojë më 28 nëntor: Kam djegur 5-6 shtëpi serbësh, por nuk kam vrarë civilë

news image

Faik Zogaj, ish- ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë se ka refuzuar thirrjen për paraqitje në Gjykatën Speciale në Hagë, shkruan Gazeta Sinjali.

Nëse nuk i përgjigjet edhe thirrjes së dytë, të cilën njofton se e ka marrë për 22 nëntor, Zogaj thotë se ka informacion se do të arrestohet më 28 nëntor.

Sipas Zogajt, kjo gjykatë nuk kërkon kriminelët serbë, por vetëm luftëtarët e UÇK-së.

“Ne nuk po i ikim drejtësisë, po kërkojmë drejtësi”, shprehet ai.

Ai thotë se nga prokurorët e Dhomave të Specializuara po akuzohet për vrasjen e dy serbëve.

Ai pohoi se kishte parë shtëpi të djegura në fshatin e tij, njerëz të vrarë dhe në gjaknxehtësi e sipër kishte djegur 5-6 shtëpi serbësh, por nuk pranoi akuza të tjera.

Faik Zogaj përmendi rastin “Panda”… dhe theksoi se është diçka e pranuar nga vetë serbët, fakti që ata kanë vrarë fëmijët e tyre vetëm për të akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje akuzoi se uniformat e UÇK-së janë keqpërdorur nga serbët vetëm për të njollosur imazhin e tyre.

Ai mohoi të ketë ndarje fetare ashtu siç akuzohet.

“Me ligjet e luftës, unë personalisht vetëm një veprim të vogël të bëja pa urdhrin e komandantit, do t’isha arrestuar prej policisë sonë se dhe ne kemi pasur policinë tonë ushtarake, prandaj kjo njollosje që i është bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një padrejtësi shumë e madhe”, tha Zogaj për Euronews Albania.

“Na kanë quajtur dhe bandë kriminale ama po të ishim ne bandë kriminale, sot, asnjë serb nuk e kishim lënë në Kosovë”, shton ai.

“Uniformë me uniformë”, kështu e cilësoi Zogaj luftën e UÇK-së, sepse sipas tij raportet me civilët serbë edhe sot e kësaj dite janë shumë të mira.

Teksa tregoi se edhe vetë ka plagë në trup si shenja nga lufta dhe konkretisht probleme me këmbën tregoi se kjo është prova e pastër se po të kishin pasur mjek që të bënte transplantin e organeve ashtu siç akuzohet UÇK-ja, minimalisht ushtarët e saj do i kuronte pa u lënë pasoja gjithë jetën.

“Dick Marty është i paguar nga Rusia dhe Serbia dhe kjo gjykatë nuk do dalë asgjëkundi nëse ecën me ato pretendime” , tha ish-ushtari i UÇK-së.

I pyetur nëse beson se ky gjyq do të mbyllet pa faktuar asgjë, Zogaj tregoi se mendon se gjatë seancës së 18 nëntorit si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi, do të lirohen për mungesë provash./Gazeta Sinjali/