image Ish-ushtari i UÇK-së thotë se disa veteranë i dorëzuan certifikatat, Gucati e quan propagandë

Kosovë

Përplasja/ Ish-ushtari i UÇK-së thotë se disa veteranë i dorëzuan certifikatat, Gucati e quan propagandë

news image

Ish-ushtari i UÇK-së, Faik Zogaj nga Malisheva, thotë se me iniciativën e tij ka arritur t’i bindë 13 veteranë të rrejshëm t’i dorëzojnë certifikatat e tyre.

Ai thotë se një rezultat i tillë është arritur për më pak se dy muaj, duke shtuar se ky numër do të ishte më i madh po të mos ndodhte tërmeti në Shqipëri, për shkak të të cilit thotë se e ndalën aktivitetin e tyre.

Zogaj, në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se 13 personat e lajmëruar janë tërhequr nga listat e veteranëve, derisa shton se ka edhe të tjerë të interesuar të cilët janë udhëzuar të shkojnë në OVL-në e Klinës, nga e cila pastaj janë drejtuar për në Prishtinë.

“Tash kemi filluar përsëri, jemi në terren. 13 persona janë tërhequr nga listat. Sa më përket mua, përveç atyre 13-ve nuk ka persona tjerë që janë tërhequr. Ka të tjerë të cilët kanë dëgjuar për këtë iniciativë dhe kanë shkuar në OVL të Klinës nga ku janë drejtuar për në Prishtinë”, thotë ai.

Zogaj tuje thotë se personat të cilët kanë deklaruar rrejshëm se janë veteranë, kanë thënë se ishin të shtyrë nga politika.

“Disa persona, 5-6, kanë qarë kur ua kam shpjeguar që në listën e veteranit je duke ia marrë vendin veteranëve që janë në gjendje shumë të rëndë dhe ju jeni duke ua marrë pensionin atyre. Ata kanë thënë se kanë rënë pre e politikanëve sepse sikur të mos kishin thënë politikanët, ata nuk do ta bënin një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Zogaj thotë se e kanë njoftuar edhe Prokurorinë, por se nuk kanë marrë përgjigje nga ta.

Sipas tij, gjyqësori po e neglizhon këtë çështje derisa shton se është pikërisht Prokuroria e cila i ka detyruar të ndërmarrin këtë iniciativë.

“Edhe Prokurorinë e shtetit e kemi njoftuar për këtë iniciativë, por ata nuk na kanë kthyer përgjigje. Unë nuk përzihem në punën e gjyqësorit, por kur e kam parë neglizhencën e Prokurorisë së shtetit, pasi këtë çështje e kemi ngrit që dy vjet, ajo na ka detyruar që të vazhdojmë në këtë formë. Ne do të shohim se sa do të arrijmë sukses deri në fundvit me këtë formë dhe pas fundvitit ne do të provojmë format tjera”, ka shtuar ai.

Zogaj thotë se brenda listës së veteranëve ka edhe njerëz të cilët kanë punuar për Administratën e Sigurisë Kombëtare të Serbisë (UDB) dhe marrin pension të veteranit të UÇK-së.

Ai thotë se kanë fakte për persona të cilët kanë dhënë para për t’u bërë pjesë e këtyre listave, por se thotë se këtë punë ua kanë lënë Prokurorisë.

“Unë e kam deklaruar që 250 UDB-asha të Serbisë janë në listat e veteranëve. Këta 250 persona i kanë shërbyer Serbisë dhe sot janë në statusin e veteranit për shkak se i kanë dhënë tre mijë ose pesë mijë euro. Ne kemi fakte se ka veteranë fals që kanë dhënë para. Këtë çështje nuk e kemi bërë publike për shkak që prokuroria mos me thënë nesër që po i pengojmë në hetime”, ka thënë ai për Koha.net.

Ish-ushtari i UÇK-së, Zogaj, thotë se ka kontakte të mira me kryetarin e OVL-UÇK, Hysni Gucati, pasi thotë se i njëjti është i ndikuar nga politika dhe nuk përfaqëson shoqatën e veteranëve të luftës.

I kontaktuar nga Koha.net, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë, Hysni Gucati, e ka akuzuar Zogajn se po bën propagandë për deklarimin e veteranëve të rrejshëm.

Ai thotë se deri tani janë të lajmëruar vetëm katër persona, e jo 13 siç pretendon Zogaj.

“Unë e di që më shumë është duke bërë propagandë se sa që janë duke u lajmëruar. Katër raste janë të lajmëruara deri tash që i kanë dorëzuar certifikatat e veteranit të rrejshëm. Nuk është vështirë me dal me emra se kush janë ata persona, të cilit fshat, të cilës komunë. Të mos bëhet këso propagande, sepse unë e njoh shumë mirë Faikun dhe unë nuk po i besoj në atë drejtim. Kështu që deri më tash, katër janë lajmëruar”, ka thënë ai.

Kujtojmë se në shatorin e vitit të kaluar ishin publikuar lista me emra të cilët pretendohej të ishin veteranë të rrejshëm.

E një muaj më herët, prokurori i cili ishte angazhuar në rastin e veteranëve të rrejshëm, Elez Blakaj, ishte larguar nga Kosova, duke hequr dorë nga detyra. Ai nga Shtet e Bashkuara të Amerikës, përmes një letre publike të postuar në Facebook, kishte shkruar se një nga arsyet e largimit të tij ishin kërcënimet që kishte marrë për këto raste.

Ai tutje kishte hedhur akuza në drejtim të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Blakaj kishte thënë se Lumezi e ka penguar në hetimin e listës së veteranëve të rrejshëm, dhe e ka kërcënuar me masa disiplinore kur ky ka planifikuar ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Deri më tani janë ngritur disa aktakuza për veteranë të rrejshëm.