image Ish-ushtari i UÇK-së: Kur u plagosa iu shtrëngova dorën shokëve që të mos e linin luftën

Sociale

Ish-ushtari i UÇK-së: Kur u plagosa iu shtrëngova dorën shokëve që të mos e linin luftën

news image

Fatmir Hoti, ish-ushtar i UÇK-së dhe invalid lufte, thotë se përpjekja e tij dhe shokëve të tij ishte që të mos e lëshonin pikën e luftimit edhe nëse vdisnin aty.

Kur ai mori dy plumba në kokë edhe pse pa vetëdije bëri një veprim në tentimin për t’iu lënë atyre një mesazh – të mos merreshin me të, por me luftën.

“Më 11 prill jam plagosur me dy plumba snajperi në kokë. Ka qenë tepër moment i vështirë, jo vetëm për aspektin emocional dhe fizik, por edhe për faktin se më nuk mund të luftoj me shokët e mi dhe se atyre do t’iu duhej që të merren me mua. Në ato momente s’kam mundur të flas sepse më ka humbur vetëdija, por ia kam shtrënguar dorën për t’iu thënë se duhet të qëndrojnë aty, në pikë. Qëllimi ka qenë që edhe nëse vdes s’ka lidhje, por pika të qëndrojë”, tha Hoti për Klan Kosova.

Hoti u ankua për trajtimin e familjeve të dëshmorëve pas luftës nga shteti dhe shoqëria e Kosovës.

“Më vjen turp të dal para familjeve të dëshmorëve, sepse ne si shoqëri s’kemi bërë asgjë për ata, që dhanë shumë”, tha ai.

/GazetaSinjali/