Në mesin e tre përfituesve të një kontrate të Ministrisë së Shëndetësisë që peshon gati gjysmë-milioni euro, është edhe një firmë private e lidhur ngushtë me Arben Vitinë, udhëheqësin aktual të kësaj ministrie.
Firma private farmaceutike “Agani Ltd”, në të cilën ministri aktual i Shëndetësisë kishte punuar për tri vite, ka marrë hise të konsiderueshme në një tender për furnizim emergjent me barna.
“Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë (439.900,00) euro.
Më 10 prill të këtij viti, kjo kompani private është përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro.
Sipas dosjes së tenderit, Ministria e Shëndetësisë ka blerë nga kompania “Agani Ltd”, 16.055 copë pilula “Morphina 20 mg 1 ml” në vlerë prej 16 mijë e 55 euro.
Ministria ka ndjekur procedurën tenderuese “të negociuar pa publikim të kontratës”. MSh-ja ka negociuar vetëm me kompaninë “Agani Ltd”, sado që ligji i prokurimit publik lejon që edhe në procedurat e mbyllura tenderuese të kontaktohen më shumë se një kompani private.
Por, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se vetëm një ndërmarrje private në Kosovë e ka të regjistruar produktin farmaceutik të morfinës.
“Sa i përket llotit për produktin ‘morfinë’, divizioni i prokurimit i MSH-së ka njoftuar se nuk ka pasur ofertë tjetër përveç të kompanisë ‘Agani’, i cili, sipas tyre, është operatori i vetëm që e ka të regjistruar këtë produkt farmaceutik në Kosovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MSh-së për Insajderin.
Ministria po ashtu ka thënë se ish-punëdhënësit e Arben Vitisë kanë qenë ofertuesit e vetëm për lotin 31 të kontratës, kur është pyetur mbi arsyet e përzgjedhjes së kësaj firme farmaceutike si fituese të lotit.
“Sepse ka qenë e vetmja kompani që ka ofertuar për morfinë dhe çmimi i ofertës ka qenë më i lirë se çmimi që e kishte parashikuar MSh-ja”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë.
Lotet e tjera të kontratës, të cilat kanë të bëjnë me furnizimin e Ministrisë së Shëndetësisë me 11 lloje të barnave për trajtimin e personave me COVID-19, i kanë fituar dy kompani të tjera: “Liri-Med Sh.p.k” dhe “LEGO Sh.p.k”.
Kjo e fundit e ka fituar pjesën më të madhe të loteve të kontratës.
Lidhjet e Arben Vitisë me firmën “Agani Ltd”
Kompania “Agani Ltd” figuron në pronësi të Dugagjin, Don dhe Driton Aganit. Ajo e ka bazën në Komunën e Graçanicës dhe merret me tregtinë me pakicë e shumicë të artikujve farmaceutik.
Udhëheqës i “Agani Ltd”, sipas të dhënave që figurojnë në ARBK, është Dugagjin Agani.
Dugagjin Agani kishte mbajtur pozitën e zëvendësdrejtorit përgjatë periudhës 2004-2007, kur Arben Vitia kishte punuar në këtë firmë.
Insajderi ka gjetur se firma “Agani Ltd” i kishte dhënë përgjegjësi të mëdha Vitisë përgjatë tri viteve të kaluara nga ministri aktual si i punësuar në kompani.
Ndonëse në CV-në e tij Vitia ka deklaruar të ketë punuar në firmën “Agani Ltd” si këshilltar profesional i shitjes, një dokument të cilin e ka siguruar gazeta tregon se Vitia së bashku me Dugagjin Aganin, asokohe zëvendësdrejtorin e firmës, kishin qenë pjesë e bordit drejtues të “Agani Ltd”.
Sipas këtij dokumenti, Vitia kishte ushtruar funksionin e udhëheqësit të sektorit shëndetësor të firmës “Agani Ltd”. Kishte përfaqësuar këtë sektor si pjesë e bordit drejtues të ndërmarrjes.
Insajderi ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë për të kaluarën e ministrit Vitia në firmën “Agani Ltd”, por nga Zyra për Informim e MSh-së i janë referuar një biografie pa shumë të dhëna të ministrit lidhur me të kaluarën profesionale të tij.
Sipas tyre, ministri Vitia ka qenë i angazhuar vetëm si këshilltar profesional i shitjes në firmën “Agani Ltd”. Nuk kanë përmendur rolin që Vitia ka pasur në bordin drejtues të firmës.
“Ministri Vitia e ka të shkruar edhe në CV e tij se nga viti 2004 deri kah mesi i vitit 2007 ka punuar si këshilltar profesional në këtë kompani, përveç tjerash”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë që udhëhiqet nga Arben Vitia.
Ministria e Shëndetësisë ka nënvizuar se ministri Vitia nuk ka kompetenca të ndërhyjë në procedurat e prokurimit publik. Ka mohuar që ministri të ketë ndikuar për favorizimin e mundshëm të firmës së ish “shefave” të tij në kontratën për furnizim me barna të MSh-së.
“Kjo s’ka fare lidhje, sepse Kabineti i Ministrit nuk merret me çështje të cilat i ka në përgjegjësi shërbimi civil i MSh-së”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MSh-së. “Kabineti politik i Ministrit nuk ka kompetenca dhe as që do të ndërhyjë në kompetenca të Shërbimit civil të MSh-së”.
Insajderi ka kontaktuar të enjten edhe me firmën “Agani Ltd”, për të kërkuar sqarime rreth raporteve të tyre me ministrin aktual të Shëndetësisë. Por, Driton Agani, njëri prej aksionarëve të firmës, i ka kërkuar gazetës që t’i drejtohet atyre përmes pyetjeve me shkrim.
Megjithatë, gazeta nuk ka marrë përgjigje në pyetjet të cilat i ka dërguar në adresë të Dugagjin Aganit, udhëheqësit të kompanisë “Agani Ltd” dhe ish-bashkëpunëtorit të Arben Vitisë.
Drejtor i firmës “Agani Ltd” përgjatë viteve 2004-2007, sipas dokumentit, figuron të ketë qenë Armend Agani, djali i axhës së Ferid Aganit, ish-ministrit të Shëndetësisë në “Qeverinë Thaçi 2”.
Agani ka qenë drejtor i bordit drejtues të firmës farmaceutike në kohën kur pjesë e bordit ishte edhe Arben Vitia, tregon dokumenti.
Ai ka mbajtur pjesën më të madhe të aksioneve në ndërmarrjen “Agani Ltd” deri më 27 prill të vitit të kaluar. Ka hequr dorë nga aksionet e firmës “Agani Ltd” dy javë pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
34 për qind të aksioneve të firmës, të cilat i posedonte deri më 27 prill, Armend Agani ia ka bartur djalit të tij, Don Aganit.
Armend Agani, së bashku me bashkëpunëtoren e tij Liljana Smiliq, ishin arrestuar më 10 prill 2019 nën dyshimet për hapjen e paligjshme të klinikës “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.”, pronar i së cilës figuron edhe sot në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Armend Aganit dhe bashkëpunëtores së tij, Liljana Smiliq në shtator të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Agani dhe Smiliq dyshohet se në bashkëkryerje kanë shpallur konkurs për pranimin e stafit në “Bel Medic International” në Graçanicë me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, gjatë muajit nëntor të vitit 2017 kanë shfrytëzuar licencat e punës të të dëmtuarve T. L., K. M., E. P., pa dijeninë e tyre.
Me këtë rast, sipas prokurorisë, ata kanë licencuar poliklinikën e tyre “Bel Med International” në Graçanicë, repartin e Stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Arrestimi i ish-drejtorit mbi dyshimet për keqpërdorime, nuk i ka kishte prishur punë kompanisë “Agani Ltd Sh.P.K”. Firma kishte vazhduar të fitonte kontrata të Prokurimit Publik.
“Agani Ltd” fitoi rreth 300 mijë euro nga Prokurimet Publike këtë vit
Kompania në pronësi të Dugagjin, Don dhe Driton Aganit, e ka nisur vitin 2020 ashtu siç e ka përfunduar vitin pasues.
E klasifikuar si njëra ndër firmat farmaceutike me më së shumti përfitime nga kontratat e Prokurimit Publik, “Agani Ltd” ka përfituar kontrata në vlerë të përgjithshme prej 300 mijë eurove përgjatë katër muajve të parë të vitit 2020.
Tri ditë pasi u shpërblye me tenderin për “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus” nga Ministria e Shëndetësisë, më 13 prill, “Agani Ltd” mori hise edhe në një tender në vlerë prej qindra-mijëra eurosh të Qendrës Klinike Universitare (QKUK).
Kompania fitoi një lot të kontratës së emërtuar: Furnizim me pajisje mjekësore për nevoja të njësisë organizative të QKUK-së”, pasi ofertoi çmimin më të lirë në tender. Vlera e kontratës peshon 42 mijë (42.768,00) euro.
Më 7 prill, “Agani Ltd” u shpall fitues i një kontrate të Prokurimit Publik të një institucioni në veri të Kosovës.
Kontratën e vlefshme 144 mijë euro, firma e fitoi nga prokurimi i furnizimeve mjekësore për Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës së Veriut. Sipas dosjes së tenderit, Qendra Shëndetësore e Mitrovicës së Veriut ka blerë pajisje shëndetësore nga “Agani Ltd” me qëllim përballimin e situatës me COVID-19.
Madje, dy kontrata për furnizim me pajisje mbrojtëse nga infeksioni COVID-19, “Agani Ltd” i ka fituar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Kontrata e parë, e nënshkruar më 31 mars, vlen 6 mijë e 240 euro.
Ndërkaq, kontrata e dytë me të cilën KEK-u e ka shpërblyer firmën “Agani Ltd” ka të bëjë me “furnizimin me maska higjenike ditore, maska, dezinfektues për duar me bazë alkooli dhe doreza higjenike për një përdorim”.
Kjo kontratë është nënshkruar me datë 8 prill.