image E konfirmuar: Ish-polici Dejan Pantiq dërgohet në arrest shtëpiak

Politikë

E konfirmuar: Ish-polici Dejan Pantiq dërgohet në arrest shtëpiak

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është ndryshuar masa e sigurisë. Pantiqit, që ndodhej në paraburgim, tashmë i është ndryshuar masa e sigurisë në arrest shtëpiak.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se ky ndryshim është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, tha Gashi.

Lirimi i Dejan Pantiqit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës të cilët në shenjë proteste ngritën barrikada në disa vende, ku qëndrojnë edhe sot e kësaj dite.
Kërkesën për lirimin e Pantiqit e ka bërë publikisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë gjithë kohës është në kontakt me bashkëshorten e Pantiqit, Suzana Pantiq.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media të mbajtur më 22 dhjetor, kishte thënë se kërkesa e serbëve për lirimin e  ish-policit serb Dejan Pantiq është e papranueshme.

Ai shtoi se Pantiq do të duhej të ishte në qendrën e paraburgimit e jo të mbahej në stacion policor, e për këtë thotë se kanë dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e Pantiq në qendrën adekuate për mbajtje të paraburgimit.

“Lirimi i Pantiqit është i papranueshëm. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur. Ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacionin policor. Lidhur me këtë kemi dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e tij në qendrën adekuatë për mbajtje të paraburgimit”, tha ai.

Pantiq u arrestua nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë. Arrestimi i Pantiqit u bë shkas që serbët në Veri të vendosin barrikada nëpër rrugë.