Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Artan Hoti, ka shpalosur kujtime rreth masakrës së Izbicës, që ndodhi para 23 viteve.
Hoti tha se dita kur u masakruan 147 persona, mbetet dita më e keqe e jetës së tij sepse sipas tij, forcat serbe u munduan të shfarosnin gjithçka.
“Disa ditë më parë forcat e NATO-s sulmuan top çarqet serbe, pastaj serbët e mllefosur e rrethakuan hekurt Drenicën. Ishte data 28 mars 1999, ka qenë dita e Kurban Bajramit, forcat serbe pasi hasën në rezistencë në disa fshatra si Ozdrim, Kodër të Hotit dhe disa fshatra, u kthyen dhe hyrën në fshatin Izbicë ku ishin të strehuar 53 fshatra nga komuna e Skenderajt. Ata i ndanë pleqtë, burrat dhe fëmijët nga familjet e tyre, i torturuan dhe i masakruan në mënyrën më barbare”, tha ai për Klan Kosova.
Hoti ka thënë se forcat serbe masakruan pa kursyer edhe fëmijët.
“Ata u munduan me shfarosë gjithçka në Drenicë, kanë djegur gjitha shtëpitë, kanë vrarë gjithçka mbi tokë”, shtoi Hoti.
“Një vajzë gjashtëmuajshe e kanë kallur të gjallë”, vazhdoi ai.