Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar vendimet e sotme të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të anuluar disa vota të zgjedhjeve të 14 shkurtit të disa komuniteteve në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ky vendim i PZAP-it është i drejtë dhe bazohet në Kushtetutë dhe Ligj.
“Unë mendoj se vendimi është i drejtë profesionalisht dhe mendoj që duhet të vërtetohet sepse vendimi në rendin e parë është i bazuar në Kushtetutë, në mbrojtjen e garancioneve kushtetuese të komuniteteve shumicë sepse bazohet edhe në Ligj”, ka deklaruar ai në Kallxo Pernime.
Hasani u shpreh se nëse këto vota nuk do të anuloheshin, do të kishte implikacione në zgjedhjet e ardhshme.
“Sikurse të tolerohej ajo logjikë besoj që do të kishte implikacione në rendin kushtetues të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme dhe kishte ndikuar në homogjenizimin nacional, në të cilat munden me prodhu pasoja të padëshirueshme për të gjitha komunitetet dhe mbi të gjitha për rendin dhe stabilitetin në Kosovë”, shtoi ndër të tjera ai.
Po ashtu, Hasani deklaroi se nëse kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak, Adrijana Hoxhiq, dërgon ankesë në Gjykatën Supreme, nuk ka argumente të mjaftueshme.
“Ata që janë pala e pakënaqur nuk kanë asnjë argument përveç kësaj që thonë që vota është e lirë, por vota e garantume është e komandume sepse është votë e përgjithshme, por nëse duan ashtu prishe atë të garantume dhe janë argumente fiktive”, tha Hasani.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme PZAP mori vendim që t’i anuloj 4 mijë e 205 vota të inicativës së Adrijana Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë, ku përveç këtyre, janë anuluar edhe votat për koalicionin VAKAT, SDU e Nasha Iniciativa./Gazeta Sinjali/