Dy javë kërkime në Shqipëri i kanë mjaftuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të nisë procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i dënuar me 2 vite burgim.
Gjatë këtyre 2 javëve, ai nuk është mundur të lokalizohet brenda vendit, si gjatë kontrollit në vilën e tij, ashtu edhe nga kërkimet në disa zona të tjera.
Kështu, Policia e Tiranës i dërgoi një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, SPAK, për ta informuar për rezultatet negative të kërkimeve.
Para 2 javësh, Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burgim ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Gjithashtu atij do t’i sekuestrohet pasuria dhe do t’i hiqet e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike.