Festa e Fitër Bajramit ka gjetur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ku ndodhen në paraburgim.
Gjykata Speciale ka konfirmuar se edhe këtë festë ish-krerët e UÇK-së e festuan bashkë.
“Në përgjithësi, Njësia për Menaxhimin e Paraburgimit siguron mirëqenien e të burgosurve në një mjedis të sigurt. Të paraburgosurve u sigurohet mundësia të kalojnë kohë së bashku dhe të festojnë festat apo rastet e veçanta në përputhje me rregulloren e institucionit të paraburgimit. Këto rregulla parashikojnë gjithashtu edhe mirëqenien shpirtërore të paraburgosurve, të cilët mund të marrin pjesë në shërbimet fetare ose shpirtërore të disponueshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Gjykatës Speciale.
Nga Haga kanë thënë se iu takon të burgosurve të vendosin se si do të donin të festonin Fitër Bajramin, por natyrisht në përputhje me rregulloren e këtij institucioni.
“Bazuar në këshillat mjekësore, vizitat personale me anëtarët e familjes dhe vizitorë të tjerë personal në institucionet e paraburgimit janë të kufizuara përkohësisht. Përderisa ekzistojnë kufizime të tilla, në mënyrë që të sigurohet kontakt, Sekretari ka autorizuar video-vizita për t’iu siguruar të burgosurve një mjet shtesë për të mbajtur marrëdhëniet familjare. Për më tepër, për të lehtësuar më tej kontaktet, një numër i arsyeshëm i thirrjeve telefonike financohet nga KSK”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Nga ky institucion kanë thënë se të gjitha komunikimet e mundshme, sidomos në rastet e familjarëve, iu mundësohen me procedura të përshpejtuara përmes video-vizitave të gjithë të burgosurve.
“Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit siguron që të gjithë të paraburgosurit të pajisen me mjete për të mbajtur marrëdhënie personale me anëtarët e familjes dhe të tjerët gjatë qëndrimit në paraburgim përmes vizitave (aktualisht vizitat me video), thirrjeve telefonike dhe postës elektronike”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së, gjenden në paraburgim në Hagë që nga fundi i vitit të kaluar. /Gazeta Sinjali/