Gjyqësori belg ka konfirmuar se e ka lëshuar një fletarrestim për ish-komisionarin evropian për Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, si pjesë e hetimit për skandalin “Qatargate”, përkatësisht për dyshimin se ai ishte pjesë e një organizate kriminale të lidhur me rastin “para për ndikim”.
Sipas prokurorëve belgë, hetimi përqendrohet në lidhjen e Avramopoulosit me një organizatë përmes së cilës ai dyshohet se ka marrë pagesa mujore prej 5.000 eurosh.
Në rastin e fundit të një hetimi për korrupsion të nivelit të lartë në institucionet qendrore të Brukselit, autoritetet belge dyshojnë se Avramopoulos ka përfituar financiarisht rreth 73.000 euro.
Avramopoulos, i cili aktualisht është anëtar i Parlamentit grek nga partia konservatore në pushtet, Demokracia e Re e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i quajti akuzat “krejtësisht të pabaza” në një deklaratë për mediat lokale.
Ai shtoi se do ta kërkojë personalisht heqjen e imunitetit të tij parlamentar dhe do t’i bëjë thirrje Ministrisë greke të Drejtësisë që ta hetojë plotësisht çështjen.
Ai pretendon se të gjitha pagesat që ka marrë nga OJQ-ja janë deklaruar siç duhet në dosjet e tij të pasurisë dhe deklaratat tatimore. Ai gjithashtu deklaron se pozicioni i tij në organizatë ishte thjesht me honorar.
Sipas autoriteteve belge, Avramopoulos u thirr për të dëshmuar para autoriteteve në lidhje me këtë çështje më shumë se gjashtë muaj më parë, por ai nuk u paraqit, duke çuar në lëshimin e një fletarrestimi.
Që fletarrestimi të zbatohet, Parlamenti grek duhet së pari të votojë për heqjen e imunitetit të tij nga ndjekja penale.
Rasti i Avramopoulosit është shembull i pamundësisë për të parandaluar konfliktet e interesit kur zyrtarët kalojnë nga posti publik në sektorin privat ose në grupet e interesit, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Alberto Alemano, nga organizata “The Good Lobby”, e cila merret me çështjet e lobimit transparent dhe etik.
“Është një shembull tipik i problemit të pazgjidhur të të ashtuquajturës ‘derë rrotulluese’ në BE. Ish-komisionarët mbeten të detyruar nga rregullat e etikës edhe pas përfundimit të mandatit të tyre, por këto rregulla mbështeten në vetëraportim dhe kryesisht në procedurat e miratimit simbolik, në vend të verifikimit të pavarur”, thotë Alemano.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!