Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i 530 vendvotimeve, të cilat mendohet se do të përfundojnë për 7 ditë. Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike thonë se rinumërimi po bëhet jashtëligjshëm. Nisma shpreson që rinumërimi do ta çojë në Kuvend.
Për këtë çështje, Enver Hoti, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se rinumërimi i 530 vendvotimeve vetëm se do ta rrisë Nismën. Hoti ka akuzuar partitë tjera dhe komisionarët e tyre për manipulime.
“Nisma është e bindur se rinumërimi i votave do ta kthejë të vërtetën. E vërteta është brenda kutive. Ne jemi të bindur se partitë tjera kanë bërë manipulime të votave, tjetërsim të votës në raport me Nismën dhe ne po e presim rinumërimin dhe jemi të bindur se do të ngrihemi dukshëm nga rezultatet preliminare, që i ka nxjerrë KQZ-ja”, ka thënë ai, për gazetën “Zëri” .
Hoti beson se Nisma edhe tani e ka kaluar pragun pavarësisht rezultateve e informacioneve të deritanishme.
“Nisma edhe tani e ka kaluar pragun, pavarësisht rezultateve që do të dalin nga rinumërimi i ri. Sipas të dhënave tona dhe informacioneve, Nisma ka kaluar pragun, por ne presim që të rritet edhe më tutje nga rinumërimi, sepse po shihet një proces i deformuar nga komisionarët e papërgjegjshëm, sigurisht të nxitur nga subjektet e partive politike”, tha ai.
Tutje ai tha se në Kosovë nuk duhet të ketë më proces të tillë zgjedhor, i cili në fillim u duk në rregull, por doli të jetë me deformime të votave.
“Ajo që është shqetësuese është se ky proces zgjedhor, i cili u duk se ishte gjithçka në rregull, por po shihet që ka deformim të votës në raport me subjektet politike, por edhe në raport me kandidatët brenda subjekteve politike dhe mendoj se këto duhet të jenë zgjedhjet e fundit që shkohet në të njëjtën mënyrë me të njëjtat procedura dhe rregulla”, tha Hoti