image Ish-deputeti i LDK-së nuk do të jetë kandidat për deputet

Kosovë

Zgjedhje/ Ish-deputeti i LDK-së nuk do të jetë kandidat për deputet

news image

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për postin e deputetit në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor.

Ai ka thënë se LDK në Lipjan e ka propozuar për kandidat të deputetit nga radhët e LDK-së, por ai ka thënë se ka vendosur të mos i futet kësaj gare.

“Kundër meje ka filluar një proces gjyqësor, mbi një aktakuzë pa asnjë bazë të arsyeshme edhe pa asnjë fakt. Ekspertiza gjyqësore e dëshmon të kundërtën e pretendimeve të prokurorit dhe e vë në pah pastërtinë time të plotë. Të dashur qytetarë, si përfaqësues i juaji në gjashtë legjislatura, kam mbrojtur me nder interesin e përgjithshëm dhe kam bërë më të mirën e mundshme”.

“Duke e vlerësuar pafundësisht besimin që më keni dhënë dhe për të garantuar proces gjyqësor pa asnjë ndikim dhe pas asnjë dyshim, kam vendosur që, përkundër propozimit nga Dega e Lipjanit, të mos jem pjesë e listës së LDK-së, partisë sime të përjetshme”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Osmani është duke u përballur me një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin e njohur si 3%./Sinjali/