Ish-ambasadori i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Wolfgang Ischinger, ka thënë se shpreson që qytetarët e Serbisë tashmë janë vetëdijesuar pas gjenocidit në Kosovë dhe të distancohen edhe nga agresioni rus në Ukrainë.
Ish-diplomati gjerman bëri thirrje që serbët t’i rezistojnë përpjekjes që të shihen si partner të një vendi që po bën një luftë ilegale dhe agresion.
“Në diplomacinë ndërkombëtare është gjithmonë e rëndësishme që të mendohet për afatet e propozimeve të tua dhe me kë dhe për kë ti i bën propozimet e tua. Unë mendoj që jemi në një moment tepër kritik të sigurisë evropiane dhe s’do të befasohesha që si pasojë e luftës aktuale në Ukrainë raporti i Serbisë me Rusinë të ndryshojë. Ndoshta do të bëhet edhe më i afërt. Por është po ashtu e mundur që s’do të bëhet më i afërt. Është shumë e mundur për mua që ta imagjinoj që shumë serbë s’duan të afrohen me një vend që kryen veprime gjenocidale. Serbët e kujtojnë, shpresoj që e kujtojnë që ata kanë kryer veprime gjenocidale këtu në Kosovë. Kështu që shpresoj që ata i rezistojnë përpjekjes që të shihen si partner të një vendi që po bën një luftë ilegale dhe agresion”, tha Ischinger.