Grupi ultra-radikal, Shteti Islamik i Khorasanit (IS-K) është duke tentuar të dëmtojë udhëheqësinë e talibanëve, duke nisur sulme nga Afganistani drejt shteteve fqinje, kanë thënë analistët.
Në sulmin e fundit, IS-K ka pretenduar se ka nisur raketa në shënjestra të paspecifikuara brenda Taxhikistanit nga provinca veriore afgane, Takhar më 7 maj.
Ky sulm ka ardhur disa javë pas sulmeve të ngjashme në qytetin kufitar uzbek, Termez, të nisura nga provinca afgane, Balkh, më 18 prill.
Si Dushanbeja, ashtu edhe Tashkenti kanë mohuar të kenë ndodhur sulme të tilla.
Zyrtarët talibanë kanë mohuar se Uzbekistani është sulmuar nga territori afgan dhe kanë thënë janë duke hetuar sulmin e dyshuar në Taxhikistan.
Ekspertët thonë se, duke sulmuar fqinjët e Afganistanit, IS-K është duke tentuar të rrisë mosbesimin në marrëdhëniet veçse të acaruara në mes të talibanëve dhe kryeqyteteve rajonale.
Analistët që ndjekin IS-K, thonë se grupi është duke tentuar të shfrytëzojë tensionet në rajonin e paqëndrueshëm, me qëllim të provokimit të shteteve për të sulmuar Afganistanin.
Ata argumentojnë se grupi – i cili synon të themelojë një perandori islamike globale – dëshiron të dëmtojë përkushtimet e talibanëve dhënë komunitetit ndërkombëtar se militantët nuk do të shënjestrojnë ndonjë shtet nga toka e Afganistanit.
“[IS-K] dëshiron të vë në pah dështimet e talibanëve, marrëdhëniet e tensionuara, dhe mundësisht të provokojë operacione hakmarrëse në Afganistan”, ka thënë Andrew Mines, hulumtues në Programin për Ekstremizëm në Universitetin George Washington, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Për dallim prej talibanëve, anëtarët e grupit IS-K nuk janë të kufizuar në një shtet apo në ndonjë grup etnik specifik.
Kur grupi është krijuar më 2015, shumica e anëtarëve kanë qenë nga grupi Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), mirëpo ka pasur edhe militantë nga Azia Qendrore – uzbekë dhe taxhikë – që kanë bërë fushatë për xhihad transnacional.
Mines thotë se IS-K është duke tentuar t’i dërgojë sinjale komunitetit ndërkombëtar se talibanët nuk janë të gatshëm të përmbushin përkushtimet kundër-terrorizmit.
“[Sulmet sikurse këto] ndodhin në kohën kur talibanët kanë shprehur përkushtim se nuk do të lejojnë xhihadistët të përdorin shtetin për të kryer sulme të jashtme”, ka thënë ai.
Në marrëveshjen e nënshkruar në shkurt të vitit 2020 me Shtetet e Bashkuara, talibanët janë zotuar se nuk do të lejojnë grupet xhihadiste si Al-Kaida, që të nisin sulme në shtetet tjera nga Afganistani.
Talibanët kanë humbur pushtetin në fund të vitit 2001, pasi kanë refuzuar të dorëzojnë liderin e Al-Kaidës, Osama bin Laden dhe xhihadistë të tjerë në Uashington, të cilët janë akuzuar për kryerje të sulmeve të 11 shtatorit, të po atij viti në Nju Jork dhe Uashington.
Mines thotë se është duke rekrutuar secilën herë e më shumë grupe xhihadiste kundër shtetit – sidomos uzbeke, taxhike, ujgure dhe grupe tjera sunite.
Ai argumenton se përkushtimet e talibanëve kundër-terrorizmit janë duke ndikuar në tensionim të lidhjeve me grupe që dikur i kanë strehuar.
Riccardo Valle, hulumtues italian, i cili analizon grupin IS-K, thotë se propaganda e fundit e grupit, i ka cak marrëdhëniet e talibanëve me Rusinë, Kinën, Pakistanin dhe shtetet e Azisë Qendrore.
Ai përmend shembullin e një sulmi shkatërrues të grupit IS-K në një xhami shiite në qytetin verior Kunduz, në muajin tetor, nga i cili kanë vdekur më shumë se 50 njerëz.
Sulmi është kryer nga një luftëtar i grupit IS-K.
Valle thotë se IS-K “e ka portretizuar sulmin si hakmarrje” për mbështetjen e talibanëve ndaj shtypjes që kryen Pekini mbi myslimanët ujgurë.
“Ky sulm po ashtu ka pasur synim përkeqësimin e marrëdhënieve në mes të Kinës dhe Afganistanit”.
Ngjashëm, një prej sulmuesve vetëvrasës në një tjetër sulm në një xhami shiite në qytetin e Kandaharit, ku kanë mbetur të vdekur më shumë se 60 besimtarë në muajin tetor, e ka pasur emrin, Abu Ali Balochi.
Valle thotë se veprimi i tij ka pasur synim të shpërfaqë gjendjen e baluçëve sunitë në Iran.
“IS-K i sheh shiitët si degë të Iranit në rajon”, ka thënë ai “derisa talibanët dhe Irani përshkruhen si aleatë”.
Dy klerikë janë vrarë në një sulm me thikë muajin e kaluar në një tempull shiitësh në qytetin iranian, Mashhad.
Autoritetet iraniane e kanë identifikuar sulmuesin si 21-vjeçar me prejardhje uzbeke.
Mines beson se sulmet e IS-K ndaj minoritetit shiit hazara kanë për qëllim të detyrojnë Iranin “të rivlerësojë aftësitë për të mbrojtur komunitetet shiite në Afganistan përmes degëzimeve që ka”, por edhe të detyrojë Teheranin të financojë rehabilitimin e viktimave shiite të grupit IS-K.
“Sulmet e IS-K, jo vetëm që i përkeqësojnë këto dinamika, mirëpo janë pjesë kyçe të cilësimit të tij si grupi ekstremist më antishiit në rajon”.
Ai shton se IS-K është armik i madh edhe i Pakistanit dhe se ky grup ndjek strategji sektare në këtë shtet.
Mines thotë se sulmet shkatërruese, sikurse ai i marsit, kur kanë vdekur më shumë se 60 njerëz në një xhami shiite në qytetin Peshavar të Pakistanit, janë duke irrituar Islamabandin.
“IS-K synon të provokojë Pakistanin që të hakmerret si brenda komuniteteve lokale, ashtu edhe jashtë kufijve”, ka thënë Mines.
Pas një serie sulmesh të kryera nga grupi Tehrik-e Taliban Pakistan, Islamabadi ka kryer sulme hakmarrëse muajin e kaluar, duke bombarduar refugjatët pakistanezë në juglindje të Afganistanit.
Sulmet ajrore kanë tensionuar marrëdhëniet e Pakistanit me talibanët, aleatë prej kohësh.
Valle mendon se IS-K do të mbetet kërcënimi i madh në Afganistan dhe perëndim të Pakistanit, me ambicie të mëdha rajonale.
“IS-K synon të destabilizojë Afganistanin si brenda, ashtu edhe në kontekst rajonal”, ka thënë ai.
Mines parashikon ditë të vështira në të ardhmen nëse talibanët nuk e ndalin kërcënimin që i vjen nga IS-K.
“Përkushtimet e talibanëve do të kenë pak rëndësi për fqinjët e Afganistanit, të cilët mund të zbatojnë qasje më agresive, nëse IS-K vazhdon të nxisë tensionet kufitare”.