Pas tensioneve të ngritura mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani ka shprehur gatishmëri për t’u kthyer në tryezën e negociatave bërthamore – por vetëm nëse jepen garanci të qarta për mospërsëritjen e sulmeve të fundit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar të shtunën se vendi i tij është i gatshëm të përfshihet sërish në bisedimet me SHBA-në, nëse garantohet se nuk do të ketë sulme të tjera.
Lajmin e ka raportuar prestigjiozja The Guardian. Araghchi, i cili ka shërbyer si kryenegociator në këto bisedime, iu referua sulmit të papritur të Izraelit më 13 qershor ndaj impianteve bërthamore në Natanz dhe objekteve të raketave balistike në Iran.
Ai përmendi gjithashtu sulmin ajror amerikan të 22 qershorit. “Para së gjithash, duhet të ketë një garanci të fortë që veprime të tilla nuk do të përsëriten.
Sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit e ka bërë më të vështirë dhe më të ndërlikuar arritjen e një zgjidhjeje përmes negociatave”, ka thënë ai.
Sipas vlerësimeve fillestare të inteligjencës amerikane, edhe pse Izraeli dhe SHBA-të kanë goditur objektet iraniane, programi bërthamor nuk është shkatërruar plotësisht, por vetëm është vonuar për disa muaj. Ndërkohë, administrata e presidentit Donald Trump ka këmbëngulur se sulmet kanë pasur sukses të plotë dhe se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore.
Menjëherë pas sulmeve, Irani kishte pezulluar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), çka solli tërheqjen e inspektorëve ndërkombëtarë nga territori i tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!