image Irani thotë se dy ushtarë u vranë gjatë sulmeve izraelite

Botë

Irani thotë se dy ushtarë u vranë gjatë sulmeve izraelite

news image

Irani tha se sulmet izraelite ndaj caqeve ushtarake në Republikën Islamike më 26 tetor lanë të vrarë dy ushtarë iranianë.

Ushtria izraelite paraprakisht bëri të ditur se ka përfunduar sulmet e tij hakmarrëse ndaj Iranit, pasi Teherani kreu sulme ndaj Izraelit në fillim të këtij muaji.

Izraeli tha se goditi ndërtesa të prodhimi të raketave, raketa dhe sisteme të tjera në disa rajone, duke paralajmëruar se Teherani “do të paguajë çmim të lartë” nëse kundërpërgjigjet.

Irani konfirmoi se sulmi izraelit goditi caqe ushtarake në provincën e Teheranit, dhe në pjesë të tjera të shtetit, duke thënë se sulmi shkaktoi “dëme të kufizuara”.

Forcat e armatosura të Iranit, më pas thanë se dy ushtarë u vranë gjatë sulmit.

Izraeli ishte zotuar se do të hakmerrej ndaj Iranit, pasi Teherani më 1 tetor lëshoi një breshëri prej 200 raketash ndaj Izraelit. Ky ishte sulmi i dytë i drejtpërdrejtë që Irani kreu ndaj armikut të tij të përbetuar, Izraelit. Shumica e raketave u rrëzuan, por u vra një person.

Irani kishte kryer edhe një sulm me raketa ndaj Izraelit në prill, teksa ky shtet mbështet dy grupe në Lindjen e Mesme që aktualisht po luftojnë kundër Izraelit.

Izraeli po lufton me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë që nga tetori i vitit të kaluar.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Nga ofensiva izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor, Izraeli dhe Hezbollahu – grupi militant libanez dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – kanë këmbyer zjarr në kufi.

Por, tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut u rritën në tetorin e këtij viti, teksa Izraeli po kryen në jug të Libanit një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut.

Hezbollahu, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez./REL/

/GazetaSinjali/