Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka njoftuar se ka kryer një sulm ndaj një baze ajrore amerikane, duke pretenduar se e ka shkatërruar atë si përgjigje ndaj një operacioni të mëhershëm amerikan në territor iranian.
Sipas deklaratës së publikuar nga IRGC dhe të raportuar nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr News Agency në platformën X, Forca Hapësinore-Ajrore e Gardës Revolucionare ka goditur bazën nga e cila, sipas Teheranit, ishin nisur avionë luftarakë amerikanë që kishin sulmuar një kullë telekomunikacioni në ishullin Sirik, në provincën e Hormozganit.
Në deklaratë thuhet se sulmi është kryer vetëm disa orë pas incidentit të mëparshëm dhe se objektivat janë “shkatërruar me sukses”. Autoritetet iraniane pretendojnë gjithashtu se operacioni është përfunduar sipas planit të tyre ushtarak.
IRGC ka lëshuar gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se çdo përsëritje e sulmeve do të përballet me një përgjigje edhe më të ashpër, për të cilën do të mbajnë përgjegjësi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ishulli Sirik ndodhet në jug të Iranit, në provincën e Hormozganit, pranë Ngushticës së Hormuzit, një zonë strategjike për qarkullimin ndërkombëtar të naftës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!