Qindra mijëra iranianë janë mbledhur të shtunën në kompleksin e madh të lutjeve në Teheran, ku ka nisur ceremonia e varrimit për ish-udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
Ceremonia filloi me himnin kombëtar, lavde dhe lexim Kurani, ndërsa pamjet televizive shfaqën arkivolin e Khameneit të mbuluar me flamurin iranian dhe me çallmën e tij të zezë.
Khamenei, i cili udhëhoqi Iranin për 37 vjet, u vra në shkurt gjatë sulmit të parë ajror në luftën e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli. Bashkë me arkivolin e tij, në një platformë të madhe të zezë ishin vendosur edhe katër arkivole të anëtarëve të familjes së tij të vrarë.
Oborri i Xhamisë së Madhe të Imam Khomeinit ishte mbushur me qytetarë, shumë prej të cilëve valëvitnin flamuj iranianë dhe mbanin fotografi të udhëheqësit të vrarë.
Sipas transmetuesit shtetëror Seda va Sima, gjatë ceremonisë janë dëgjuar thirrje “Vdekje Amerikës”. Mediat iraniane raportuan gjithashtu për thirrje hakmarrjeje nga të pranishmit.
Trupi i Khameneit pritet të dërgohet në Qom, Najaf dhe Kerbala, qendra të rëndësishme shiite në Iran dhe Irak, përpara se të varroset të enjten në Mashhad.
Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar mobilizimin e miliona qytetarëve gjatë ditëve në vijim, duke ofruar transport, ushqim dhe akomodim për pjesëmarrësit në ceremonitë mortore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!