image Irani mohon marrëveshjen me SHBA-në: Nuk është miratuar asnjë dokument zyrtar

Botë

Irani mohon marrëveshjen me SHBA-në: Nuk është miratuar asnjë dokument zyrtar

news image

Autoritetet iraniane kanë mohuar raportimet se është arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se deri më tani nuk është miratuar asnjë dokument zyrtar ndërmjet dy vendeve.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se nuk ekziston asnjë tekst i aprovuar për një memorandum fillestar mirëkuptimi me SHBA-në, duke hedhur poshtë pretendimet për një dakordim të arritur në negociatat e fundit.

Reagimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte pezulluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit për shkak të zhvillimeve pozitive në bisedimet mes palëve.

Sipas Trumpit, Irani kishte rënë dakord për një tekst paraprak të memorandumit të mirëkuptimit dhe se një marrëveshje mund të shpallej së shpejti.

Megjithatë, qëndrimi i fundit i Teheranit tregon se ende ekzistojnë dallime mes palëve lidhur me ecurinë e negociatave dhe përmbajtjen e dokumenteve të diskutuara.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar pasigurinë rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje të afërt, ndërsa vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar te raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/