image IPK suspendon tre policë, dyshohet se keqtrajtuan një punëtor sigurimi të EULEX-it

Siguri

IPK suspendon tre policë, dyshohet se keqtrajtuan një punëtor sigurimi të EULEX-it

news image

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre policëve në Prishtinë, të cilët dyshohet se kanë keqtrajtuar një punonjës të EULEX-it gjatë detyrës zyrtare, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, policët në fjalë dyshohet se e kanë arrestuar dhe shoqëruar në Polici një punonjës të sigurimit për misionin e EULEX-it, pas një incidenti për parkimin e një veture private.

“Bazuar në veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se zyrtarët policorë kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar (punonjës i sigurimit për Misionin e EULEX-it) pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private (të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor) para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit  “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti”, shkruhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes posa janë informuar për rastin.

“Bazuar në këto veprime fillestare hetimore, me dyshimin se zyrtarët e përfshirë në këtë rast  kanë kryer veprën penale “ Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejt në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë”, thuhet mes tjerash në postimin e IPK-së.

/GazetaSinjali/