Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar dy zyrtarë policorë që dyshohet të jenë përfshirë në rastin e keqtrajtimit të 18 vjeçarit, Leotrim Rama nga pjesëtari NJRSH-së, Haris Kelmendi.
Sinjali mëson se është suspenduar rreshteri Asllan Berbatovci, shef ndërrimi në atë kohë kur ka ndodhur ngjarja.
Ndërsa zyrtari tjetër policor që u suspendua është Agon Hyseni, i cili ka qenë bashkë me Haris Kelmendin, në momentin kur e kanë ndaluar në vitin 2018, Leotrim Ramën për kundërvajtje.
Burimet e Sinjalit njoftojnë se viktima Leotrim Rama fillimisht ishte ankuar për zyrtarin policor, Agon Hysenin.
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se Haris Kelmendi u arrestua sërish dhe u dërgua në ndalim policor pas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Dyshimi aktual ndaj Kelmendit është për veprën penale “Pengim i të provuarit”.
Sipas dëshmisë së dhënë në Polici nga viktima e këtij rasti, Leotrim Rama, zyrtari policor, Haris Kelmendi dyshohet se ka ushtruar presion ndaj tij për ta ndryshuar deklaratën.