Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit të arrestimit të një të dyshuari, afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Nga IPK kanë thënë për Sinjalin se një grup i hetuesish po hetojnë proporcionalitetin e përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë, me rastin e arrestimit të të dyshuarit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar të grumbullojë informacione lidhur me këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të saj.”
“Një ekip e hetuesve është angazhuar drejt ndriçimit të rrethanave dhe vlerësimit të proporcionalitetit të përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë. Veprimet tjera pritet të ndërmerren bazuar në fushëveprimin ligjor të saj”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.
Gazeta Sinjali sot ka publikuar një video në të cilën shihet se njëri nga zyrtarët policorë e godet me grusht në kokë një prangosur, i cili u riarrestua sot afër QKUK-së, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.
Ai fillimisht ishte arrestuar si i dyshuar për dhunë në familje, por për shkak të agresivitetit të pakontrolluar, me urdhër të prokurorit ishte dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Derisa po trajtohej në këtë klinikë, ai kishte sulmuar zyrtarët policorë dhe kishte arritur që të arratisej, por u kap nën kërcënimin e armës dhe u lidh me pranga, vetëm pak metra më larg./Gazeta Sinjali/