Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se një zyrtar policor i angazhuar në mbrojtjen e afërt të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është suspenduar nga detyra pas rekomandimit të këtij institucioni.
Në një përgjigje për RTK-në IPK bëri të ditur se rekomandimi për suspendim është dorëzuar rreth dhjetë ditë më parë, ndërsa vendimi është zbatuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Sipas IPK-së, masa është ndërmarrë në kuadër të një hetimi që lidhet me një raport policor të vitit 2025 në Skenderaj. Hetimet po fokusohen në deklarime kundërthënëse të dhëna lidhur me këtë rast.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura më shumë detaje për shkak të ndjeshmërisë së procedurës hetimore, por kanë theksuar se procesi është ende në zhvillim dhe se veprimet e ndërmarra synojnë garantimin e një hetimi të paanshëm dhe profesional.
IPK ka ritheksuar se suspendimi është masë administrative që përdoret për të mos ndikuar në rrjedhën e hetimeve deri në sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!