Inspektorati i Policisë së Kosovës ka rekomanduar suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit bëri të ditur se nuk do të respektojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e fletëve qortuese për shoferët me targat ilegale të lëshuara nga Serbia, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, IPK njofton se Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.
“Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit. Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Gjuriq gjatë ditës së djeshme njoftoi se Policia në veri të vendit do të bojkotojë vendimin e Qeverisë për lëshimin e fletëve qortuese për shoferët me targa me akronime si: ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’.
Komunikata e plotë:
IPK rekomandon suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut.
Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.
Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit.
Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.