image IPK jep detaje për policin e arrestuar në Shtime

Kosovë

Ryshfet/ IPK jep detaje për policin e arrestuar në Shtime

news image

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme është arrestuar një zyrtar policor nën dyshimet për kryerjen e verave penale, “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sinjali kishte raportuar gjatë ditës së sotme për arrestimin e zyrtarit policor në Shtime nga rajoni i Ferizajt. IPK kishte marrë informata dy ditë më parë se zyrtari policor nga rajoni i Ferizajt lidhet me aktivitete të dyshimta.

“Hetuesit e IPK-së kanë siguruar edhe urdhëresën nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për realizimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit”.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, IPK ka arrestuar sot në orët e pasdites në Shtime zyrtarin policor të dyshuar për veprën penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”dhe me vendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

Më tutje IPK përmes një njoftimi ka deklaruar se deri më tani dyshimet janë se zyrtari policor është i dyshuar për mos ekzekutimin e urdhëresave të ndryshme të organeve të drejtësisë duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast me dyshimin për përfshirjen edhe të një zyrtari tjetër policor në këtë rast”, thuhet në përfundimin e komunikatës.