Hetimi preliminar i Inspektoratit Policor të Kosovës lidhur me një incident që u raportua më 26 tetor, në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, ka rezultuar me suspendimin e dy zyrtarëve policorë, raporton Gazeta Sinjali.
IPK ka bërë me dije se kanë rekomanduar suspendimin e një rreshteri dhe një zyrtari policor të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.
“Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast.
Inspektorati Policor në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmerr edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.”
Ndryshe, para disa ditës Inspektorati Policor njoftoi se ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia.
Incidenti dyshohet se ka ndodhur kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë.