Kompania Zijin e Kinës ka trefishuar prodhimin e saj në minierat e Borit në Serbi, e kjo ka përkeqësuar ndotjen tashmë të rëndë të mjedisit atje. Por cilat janë përfitimet e Serbisë nga ky investim kinez?
Nën qytet minierë, përreth qytetit minierë, e mbi qytet një ajër aq i ndotur, sa që qyteti Bor në Serbi është një pikë e zezë ekologjike në hartën e Evropës. “Ne kemi privilegjin të marrim frymë të gjithë tabelën periodike të elementeve”, shprehen me shaka banorët e Borit dhe fshatrave përreth.
Shakaja nuk është larg së vërtetës. Qyteti i Borit është ndërtuar mbi themelet e një miniere bakri dhe prej dekadash jeton nga minierat. Por studimet kanë treguar se për shkak të ndotjes nga shkritorja, e cila ndodhet në qendër të qytetit, banorët e atjeshëm jetojnë mesatarisht dhjetë vjet më pak.
Kur miniera kaloi nga shteti tek kompania kineze “Zijin” në vitin 2018, situata u përkeqësua. “Kanë rritur 300 përqind shfrytëzimin e xehes. Kanë rritur maksimumin e shkrirjes së xeheve në shkritore dhe tani kërkojnë zgjerimin e shkritores me 250 përqind”, thotë Snezhana Sherbula, shefe e departamentit për mbrojtjen e mjedisit në Fakultetin Teknik në Bor.
Kështu filluan të përhapen minierat dhe bashkë me to edhe mbeturinat. Shpërthimet u bënë më të shpeshta dhe shkatërruese, e ndotja arriti nivelin rekord. Me zgjerimin e parë të kapacitetit të shkritores, përqendrimet e arsenikut kancerogjen në ajër u rritën 90 herë më shumë se sa lejohet. “Nëse vazhdon kështu, supozohet se jetëgjatësia atje mund të shkurtohet me 25 vjet”, thotë Sherbula në një intervistë për DW.
A ka përfitime?
Në Bor nuk ka pothuajse asnjë familje, e cila nuk e ka të paktën një anëtar të punësuar në minierë dhe ata e dinë shumë mirë që ekzistenca e tyre varet nga miniera.
“Por përveç faktit që njerëzit që janë të punësuar atje kanë siguruar ekzistencën e tyre, është shumë e vështirë të identifikohen përfitime të tjera për Serbinë,” tha për DW Stefan Vladisavljev nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike. Ai ka vite që i monitoron nga afër marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kinës.
“Fitimin nga shitjet dhe eksportet i ka një kompani kineze. E tregu kryesor në të cilin eksportohet ky mineral është tregu kinez. “Pasi Zijin mori minierën, bakri u bë produkti numër një i eksportit nga Serbia në Kinë dhe është e qartë se ky është një kombinim në të cilin i gjithë fitimi shkon tek një kompani kineze që operon vetëm në Serbi”, shpjegon Vladisavljev.
Serbia do të mund të bënte një fitim të drejtpërdrejtë përmes dhënies në përdorim të xehes, pra përmes kompensimit për përdorimin e burimeve shtetërore. Por deri tani nuk dihet nëse kompania kineze ka paguar diçka dhe sa ka paguar në buxhetin e shtetit deri më tani.
Ligjërisht, qiraja e xehes në Serbi është pesë për qind e të ardhurave të krijuara nga kompania që shfrytëzon, dhe është një nga më të ulëtat në Evropë.
“Jo vetëm që nuk përfaqëson të ardhura, por në thelb kjo nuk mbulon as dëmin që i shkaktohet drejtpërdrejt tokës dhe degëve të tjera që po shuhen në afërsi të minierës”, tha avokati Sreten Gjorgjeviq, i specializuar në të drejtën mjedisore.
“Zijin“ i bën vet llogaritë
Një problem tjetër është se vetë kompanitë e llogarisin qiranë e mineralit. Ligji parashikon që kompanitë t’i dorëzojnë rregullisht Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës të dhënat për sasinë e lëndëve të para minerale të shfrytëzuara dhe të ardhurat nga shitjet, e në bazë të tyre të përcaktojnë se sa qira e mineralit duhet të paguajnë.
Një model i tillë nuk është i pazakontë, por nënkupton mekanizma seriozë shtetërorë që do të reagonin në rast të mosrespektimit të rregullave, shpjegon Petar Gjukiq, profesor në Fakultetin e Teknologjisë dhe Metalurgjisë.
“Por nëse dikush është aq i fuqishëm ekonomikisht, e Kina është ekonomia më e fuqishme në botë, atëherë ai nuk respekton të gjitha standardet e nënshkruara në marrëveshje”, thotë Gjukiq. Ndaj dhënia në përdorim mund të jetë më e vogël se pesë përqindja e përcaktuar, sepse varet edhe nga fuqia e partnerit.
Kjo është konstatuar nga raporti i auditorit shtetëror të vitit 2019, ku thuhet se organet kompetente nuk i kanë kontrolluar sa duhet të dhënat për sasinë e lëndës së parë të shfrytëzuar, të hyrat apo llogaritjet për kompensim, për çka dyshohet se detyrimet e shfrytëzimit janë të nënvlerësuara.
“Në përgjigjen e inspektimit republikan, në pyetjen se pse nuk janë korrigjuar listat kontrolluese, thuhet se inspektimi nuk mund të jetë serioz për shkak të kufizimeve, në radhë të parë të personelit”.
As Gjorgjeviqi nuk është i befasuar. “Ministria ka vetëm tre inspektorë në territorin e Serbisë. Është e paimagjinueshme që këta tre inspektorë, secili prej të cilëve mbulon një sektor të madh, të kenë ndonjë autoritet dhe të kryejnë mbikëqyrje në kohë të duhur”, tha avokati.
Kina është partner i rëndësishëm strategjik
Por investitorët kinezë janë aty për shkak të interesave politike e jo ekonomike, thonë bashkëbiseduesit e DW. “Në vitet e fundit Serbia është mbështetur shumë tek Kina dhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me infrastrukturën në Serbi janë bërë me ndihmën e kredive kineze dhe kompanive kineze. Është më se e qartë se këto kredi kanë ardhur me lidhje politike“, thotë Stefan Vladisavljev.
Kështu Kina e ka siguruar veten me lëndë të parë, kurse Serbia me iluzionin e zhvillimit ekonomik. Në këtë ndarje të tortës, mjedisi duket se është lënë pas dore, sepse në kontratën e shitjes së RTB Bor, Serbia i liroi partnerët kinezë nga çdo detyrim që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.
Po qytetarët? Çfarë do të ndodhë me ta kur minerali të zhduket ose kur të bëhen të padobishme? “Çdo vend që kujdeset për qëndrueshmërinë e ekonomisë së tij formon një të ashtuquajtur fond për kalimin nga minierat në një degë tjetër – bujqësi apo turizëm, për shembull, sepse minierat janë gjithmonë një industri e kufizuar”, shpjegon profesor Gjukiq.
“Por zgjidhje të tilla strategjike nuk priten nga vendet e varfra si Serbia. Trendi i shfrytëzimit vazhdon, nuk kemi asnjë perspektivë të mirë”, përfundon Gjukiq.