Rritja e investimeve të huaja në Kosovë, që trumbetohet nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka pasur efekt të vërejtshëm në ekonomi, thonë ekspertë të kësaj fushe.
Kurti, pas shënimit të njëvjetorit të qeverisjes, më 22 mars, ka thënë se ky ka qenë viti i “zhvillimit ekonomik dhe i investimeve”.
“Investimet e huaja direkte, krahasuar me vitin 2020, janë rritur për 21.8 për qind, ndërsa krahasuar me vitin 2019, për 65 për qind”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja direkte në Kosovë në vitin 2021 kanë pasur vlerën e 421 milionë eurove – krahasuar me 345 milionë euro në vitin 2020 dhe 254.8 milionë euro në vitin 2019.
Nga shuma e investuar vitin e kaluar, 383.9 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Ismet Mulaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i patundshmërisë sjell më së paku efekte në zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
“Nuk mund të mburremi që kemi investime të huaja direkte në Kosovë. Investimet e huaja që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe gjenerojnë vende të punës janë në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve. Këta janë sektorë strategjikë, ku Kosova ka interes të tërheqë investitorë”, thotë Mulaj.
Por, sektori i prodhimit në Kosovë është ndër më të pazhvilluarit.
Kosova është importuese e pothuajse të gjitha produkteve. Në vitin 2021, vlera e mallrave të eksportuara ka arritur në rreth 750 milionë euro, ndërsa e importeve në mbi 4.5 miliardë euro.
Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë se mungon oferta, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për ata vendorë.
“Ndryshe nga çka deklarojnë institucionet e Kosovës është gjendja në terren. Kemi investitorë që janë të interesuar të investojnë në Kosovë, [por] mungesa e një ofertë reale, mungesa e vendosmërisë për infrastrukturë ligjore dhe sigurisë për investitorët, bën që ata të mos vijnë në Kosovë”, thotë Krasniqi për REL.
Sipas tij, investimet e huaja në sektorin e patundshmërisë i atribuohen kryesisht diasporës së Kosovës, e cila, siç thotë, investon shuma të mëdha parash në ndërtimin e shtëpive dhe në blerjen e apartamenteve.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjermania është shteti me më së shumti investime të huaja direkte, e pasuar nga Zvicra. Këto njëherësh janë dy shtete, ku jeton numri më i madh i qytetarëve nga Kosova.
Ekspertët thonë se ndikim në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës kanë investimet në sektorin e shërbimeve, në sektorin e bujqësisë, në sektorin energjetik, në miniera, në transport dhe telekomunikacion, si dhe në turizëm.
Mulaj thotë se Kosova, edhe pse vend i vogël, ka potencial.
Sipas tij, popullata e re e vendit mund të nxjerrë punëtorë për çfarëdo industrie që mund të zhvillohet në Kosovë.
“Kosova është vendi i tretë në botë për nga rezervat e qymyrit dhe ende nuk kemi arritur të tërheqim investitorë që mund ta përdorin qymyrin për prodhime të ndryshme. Qymyri nuk përdoret vetëm për ngrohje ose për furnizim të termocentraleve. Prej tij mund të krijohen mbi 36 produkte që nuk kanë lidhje me ndotje të ambientit, por janë me interes për zhvillimin e Kosovës”, thotë Mulaj.
Kryeministri Kurti, në një takim të Odës Ekonomike Amerikane, më 24 mars, është zotuar se, në bashkëpunim me odat ekonomike që veprojnë në Kosovë, do të krijojë politika në favor të rritjes së hovshme dhe të qëndrueshme të investimeve të huaja direkte.
Ai ka thënë se është duke u shqyrtuar edhe mundësia e rekrutimit të atasheve ekonomikë në mbi njëzet vende të ndryshme në botë.
Roli i tyre, sipas Kurtit, do të jetë të krijojnë lista të investitorëve, t’i sjellin ata në Kosovë dhe, pastaj, Qeveria – bashkë me odat ekonomike – t’i bindin të investojnë në Kosovë.
Kosova, nëse krahasohet me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Serbia, ka shumë më pak investime të huaja.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020, kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, ndërsa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë.
Si arsye për mungesë investimesh janë përmendur shpesh infrastrukturat e komplikuara ligjore dhe pasiguria energjetike.
Në një raport të publikuar në vitin 2020, Departamenti amerikan i Shtetit për Klimën e Investimeve ka thënë se “një nga problemet që e pengon shkuarjen e investitorëve të huaj në Kosovë është furnizimi jo i besueshëm me energji”.