image Intervistë/ Bajrami: Qeveria e ka humbur betejën me krizën energjetike, dimri do të jetë shumë i vështirë

Politikë

Intervistë/ Bajrami: Qeveria e ka humbur betejën me krizën energjetike, dimri do të jetë shumë i vështirë

news image

Ish-ministrja e Financave, tash deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami ka vlerësuar se Qeveria e ka humbur betejën me krizën energjetike. Në një intervistë për Gazetën Sinjali, Bajrami tha se  dimri do të jetë i vështirë dhe ekzekutivi nuk ka plan që të përballet me këtë gjendje.

Sipas deputetes, Bajrami, kjo po ndodhë për shkak të menaxhimit jo të mirë të Qeverisë, teksa ka paralajmëruar se si pasojë e mosmarrjes së veprimeve konkrete nga Qeveria, ka mundësi që qytetarët të përballen edhe me një ngritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike por do të jenë të pashmangshme dhe reduktimet.

Ajo ka folur edhe për punën e ministrit të Financave, rishikimin e buxhetit dhe mjetet e ndara për investimet kapitale.

Bajrami ka shtuar se me pakot që tashmë janë ndarë ka gjasa që ka tejkalime dhe shkelje të ligjit të buxhetit.

Sipas saj, për transparencë të ministrisë as që mund të flitet, pasi thotë se nuk ka asnjë raport që tregon për mjetet e shpenzuara për rimëkëmbje ekonomike, subvencionimin e energjisë dhe pakon e fundit.

Thirrja e Bajramit për Qeveris është që të lëvizet me politika fiskale ose duhet që sa më parë të bëhet indeksimi i pagave, pensioneve sipas nivelit të inflacionit për tërë sektorin publik, si dhe të përgatiten stimuj dhe masa që do ta shtynin indeksimin e pagës edhe në sektorin privat.

Sinjali: Zonja Bajrami, vendi po përballet me vështirësi si pasojë e situatës ekonomike. Si e vlerësoni planin e Qeverisë për përballjen me situatën ekonomike në vend?

Bajrami: Qeveria ka zgjedhë të mos përballet fare me situatën ekonomike, janë qytetarët ata të cilët po e pësojnë nga inflacioni marramendës, kriza energjetike dhe valët e virusit SARS COV-2. Qeveria në vend se të përballet po fërkon duart dhe po i gëzohet rritjes së të hyrave në buxhet si rezultat i inflacionit. Masat të cilat po ndërmerren nuk kanë ndonjë  efekt, janë shpërndarje e mjeteve të buxhetit pa marrë parasysh asnjë kriter ekonomik e social të gjendjes ekonomike të përfitueseve, janë masa të njëhershme të cilat mund ta lehtësojnë jetën e qytetarëve për një javë maksimumi dy dhe aq. Andaj nuk ka përballje sepse nuk ka veprime, nuk ka rezultate.

Sinjali: A do të arrijë Qeveria që t’i dalë ballë gjendjes me energjinë elektrike në vend me planin që ka paraparë?

Bajrami: Qeveria nuk ka plan për energjinë: nuk ka kontrata për furnizim, nuk ka marrëveshje, nuk ka masa për sigurimin e burimeve alternative të ngrohjes, çmimi i drurit, peletit dhe lëndëve tjera djegëse është rritur deri në papërballushmeri. Masa për subvencionimin e kursimit është e vonshme, askush nuk e din se si do të kalkulohet dhe si do të implementohet. Subvencioni prej 100 milionë eurove nuk është disbursuar ende, përveç 40 milionë për energjinë e shpenzuar në veri. Remontet kapitale të disa blloqeve nuk kanë ndodhur dhe duke marrë parasysh të gjitha këto fakte shihet që Qeveria as nuk ka plan as strategji për ditët e ftohta që po vinë andaj me të vërtetë ka me qenë shumë vështirë.

Sinjali: Si e shihni vendimin për masat emergjente për furnizim me energji?

Bajrami: Në mungesë të ndonjë plani a strategjie për t’u përballur me krizën energjetike, qeveria mori vendimin për masat emergjente për furnizim me energji. Kjo Qeveri brenda një viti është hera e tretë që ka marrë vendim të tillë, nga ajo çfarë ne kemi parë dhe nga ajo çfarë është raportuar ky vendim është marrë vetëm për të legjitimuar ndërprerjet, për asgjë tjetër.

Sinjali: Nëse do të vazhdojnë reduktimet, si do ta pësojë ekonomia dhe a do të munden qytetarët ta përballojnë rritjen e çmimit të rrymës?

Bajrami: Pas shumë vitesh, ne u përballëm me reduktime të shumta në muajin gusht. Kjo para së gjithash krijoi një imazh të keq për investitorët potencialë, dëme të mëdha dhe rritje të kostos së prodhimit për bizneset prodhuese në vend dhe pasiguri për të gjithë qytetarët. Duke marrë parasysh mungesën e veprimeve konkrete nga ana e Qeverisë, ka shumë gjasa që të përballemi edhe me një ngritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike, por do të jenë të pashmangshme dhe reduktimet. Të gjitha këto do ta rëndojnë edhe me tepër jetën e qytetarëve tonë dhe do t’i vështirësojnë shumë gjendjen e bizneseve vendore, duke i bërë jo konkurrente me produktet me kompanitë e huaja që plasojnë mallrat e tyre në vendin tonë.

Sinjali: Derisa inflacioni po rritet, cilat duhet të jenë veprimet e Qeverisë?

Bajrami: Tani meqenëse jemi vend që kryesisht varemi nga importi masat që mund të ndërmarrim janë të kufizuara, por LDK-ja që nga fillimi i vitit ka dhënë propozimet për veprimet që duhet të ndërmerr Qeveria për të lehtësuar përballjen e qytetarëve me këto nivele të inflacionit. Ne kemi propozuar që të largohet akciza për naftën dhe derivatet e saj, kemi konsideruar se ulja për 36 centë për litër të naftës dhe derivateve të saj do të ndikonte që të ulej ose stagnojnë çmimet për shumë produkte të tjera (rreth 140 sosh). Një masë tjetër të cilën ne e kemi propozuar ka qenë heqja e TVSH-së për produktet bazë të shportës së konsumatorit.

Sinjali: Sa i përket ministrit aktual të Financave, si e vlerësoni punën e tij?

Bajrami: Tani këtë vit është buxheti i dytë i hartuar nga ministri i financave dhe Qeveria Kurti II dhe ajo çfarë kemi parë është performancë shumë e ultë në shpenzimin e investimeve kapitale. Në raportin gjashtëmujor të MFT thuhet se nga 704 milionë të parapara për investime kapitale ishin shpenzuar vetëm 79 milionë euro ose 11%. Janë katër ministri që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk kanë filluar asnjë investim kapital, d.m.th. shpenzimet për investime kapitale i kanë zero. MFT nuk ka qenë fare kreative me masat për rimëkëmbje ekonomike, ka shpërndarë mjete njëjtë të gjithë qytetarëve, duke mos marrë parasysh se qytetarët kanë të hyra të ndryshme, masat të tilla kanë qenë edhe diskriminuese sepse janë lënë anash qytetarët që e kanë gjendjen me të keqe siç janë të papunët.

Janë ndarë 100 milionë euro për subvencionim të çmimit të energjisë dhe MFT nuk ka arritur t’i disbursojë ende edhe 60 milionë të premtuara. Si pasojë, të gjithë akterët në sektorin e energjisë janë futur në borxhe. Përkundër faktit që nuk ka pasur performancë në shpenzimin e mjeteve të ndara për investime kapitale nuk ka pasur rishikim të mirëfilltë të buxhetit. Ka shumë gjasa që me pakot tashmë të deklaruara ka tejkalim dhe shkelje të ligjit të buxhetit. Për transparencë as që mund të flitet, nuk ka asnjë raport që tregon për mjetet e shpenzuara për rimëkëmbje ekonomike, subvencionimin e energjisë dhe pakon e fundit. Transparenca është zero.

Sinjali: Kur flisni për buxhetin, a vlerësoni se ka diskriminim në rishqyrtimin e buxhetit?

Bajrami: Rishikimi që ka ndodhë ka ndryshuar vetëm nen një dhe nuk përfshirë asnjë organizatë tjetër buxhetore përveç MFT. Nga MFT është premtuar se do të ketë rishikim të mirëfilltë por nuk ka asnjë indikacion që kjo do të ndodhë.

Sinjali: A mendoni se po rrezikon që buxheti të shkojë për ndihma dhe aspak në projekte kapitale?

Bajrami: Siç e potencova më parë, në gjashtë mujorin e parë nga 704 milionë euro të parapara janë shpenzuar vetëm 79 milionë, në ndërkohë që në ligjin e buxhetit transfere dhe subvencione janë të ndara rreth 900 milionë euro të cilat po shpenzohen ashtu siç janë paraparë, mbi këto Qeveria ka ndarë 100 milion për subvencionim të energjisë elektrike, 100 milionë janë shpërndarë për disa kategori masa prej 100 euro si dhe pakoja e fundit kjo e 150 milionëve.

Nëse analizohen këto të dhëna shihet qartë se nuk ka politika as veprime zhvillimore, ka shpenzime ad-hoc, ka mbledhje të tatimeve dhe rishpërndarje në mënyrë diskriminuese nga ana e Qeverisë dhe ka mungesë totale të ndonjë investimi kapital.

Sinjali: Por pse mendoni se nuk po realizohen investimet kapitale?

Janë disa faktorë si: mospuna e Qeverisë respektivisht e ministrave, bllokimi për më shumë se një vit i OSHP-së dhe inflacioni.

Sinjali: Dhe për fund, si eksperte e kësaj fushe, çka duhet të ndryshojë qeveria dhe si duhet të veprojë në raport me krizën që pritet të thellohet gjatë dimrit. Cila është thirrja juaj?

Bajrami: Qeveria është vonuar shumë për të ndërmarrë masat e nevojshme. Nëse flasim krizën me furnizimin me energji elektrike nuk është bërë asgjë, as nuk ka kontraktim, as remonte kapitale as të rregullta të blloqeve dhe tani duket se Qeveria e ka të humbur këtë betejë. Sa i përket krizës ekonomike e shkaktuar kryesisht nga niveli i inflacionit duhet të lëvizet me politika fiskale ose duhet që sa më parë të bëhet indeksimi i pagave, pensioneve sipas nivelit të inflacionit për tërë sektorin publik si dhe të përgatiten stimuj dhe masa që do ta shtynin indeksimin e pagës edhe në sektorin privat. Këto janë masa që Qeveria duhet t’i marrë menjëherë.

/GazetaSinjali/