Studiues nga Brukseli kanë zhvilluar një metodë me inteligjencë artificiale për trajtimin e infertilitetit tek meshkujt.
Spitali Universitar i Brukselit ka krijuar një metodë inovative që mund të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin e trajtimeve për infertilitetin mashkullor, duke përdorur inteligjencën artificiale për të identifikuar më shpejt dhe më saktë spermatozoidet tek pacientët me fertilitet të ulët.
Teknologjia, e quajtur “T’easy”, është rezultat i bashkëpunimit mes studiuesve të qendrës për mjekësi riprodhuese “Brussels IVF” dhe kompanisë “Robovision Healthcare”.
Sipas spitalit, ky mjet mund të përfaqësojë një hap të rëndësishëm përpara në fushën e riprodhimit të asistuar, shkruan Radio-Televizioni Flamand (VRT), transmeton Telegrafi.
“Në rastet kur spermatozoidet nuk gjenden në ejakulat, aplikohet procedura e ekstraktimit testikular të spermës (TESE), që përfshin marrjen e një mostre nga indi testikular, nga e cila përpiqemi të nxjerrim spermatozoide. Nëse gjenden, ato përdoren për metodën ICSI të fekondimit in vitro, ku një spermatozoid i vetëm injektohet drejtpërdrejt në qelizën vezë”, kanë shpjeguar shkencëtarët.
Kjo procedurë, e përdorur që nga viti 1995, u jep shpresë meshkujve me fertilitet të zvogëluar për të pasur fëmijë biologjikë, por rezultatet shpesh ndryshojnë për shkak të vështirësive në identifikimin e spermatozoideve në mostrat e indeve.
“‘T’easy’ na mundëson të zbulojmë spermatozoidet më saktë dhe më shpejt, duke u dhënë prindërve të mundshëm informacion më të shpejtë për gjasat e suksesit të trajtimit. Gjithashtu, reduktohet ndjeshëm rreziku për të humbur spermatozoidet potencialisht të dobishme,” thuhet në njoftimin e Spitalit Universitar të Brukselit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!