Një studim i ri tregon se inteligjenca artificiale po shndërrohet në një nga faktorët kryesorë që po riformëson tregtinë globale, duke ndikuar në zinxhirët e furnizimit, flukset ekonomike dhe balancat gjeopolitike.
Raporti i publikuar nga siguruesi austriak i kreditit Acredia në bashkëpunim me Allianz Trade thekson se tregtia globale e produkteve të lidhura me inteligjencën artificiale është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, duke arritur në triliona dollarë.
Sipas studimit, produktet dhe infrastruktura e inteligjencës artificiale përbëjnë tashmë rreth 15% të tregtisë globale të mallrave, ndërsa Azia dominon zinxhirin e prodhimit, përfshirë gjysmëpërçuesit dhe qendrat e të dhënave.
Raporti ngre shqetësime të veçanta për Evropa, e cila, sipas analizës, po mbetet prapa në investimet për infrastrukturë digjitale krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo varësi nga ofruesit amerikanë të teknologjisë mund të ndikojë në konkurrencën, inovacionin dhe sovranitetin ekonomik të Evropës, duke e bërë atë gjithnjë e më shumë një konsumator të shërbimeve digjitale sesa një prodhues kryesor.
Studimi thekson se në të ardhmen kontrolli mbi çipat, qendrat e të dhënave dhe platformat e inteligjencës artificiale do të përcaktojë edhe peshën ekonomike dhe politike në ekonominë globale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!